Please enter at least 3 characters.

Ylli zhgënjen tifozët, Peja në finale

2016/01/ylli-zhg-euml-njen-tifoz-euml-t-peja-n-euml-finale_hd.jpg

Palestra “13 Qershori” në Therandë ishte stërmbushur me tifozët vendas ‘Xhebrailat’, të cilët padyshim se krijuan një atmosferë impozante, duke e konfirmuar edhe njëherë se janë tifozeria më e organizuar për momentin në vend.

Me mbështetjen e madhe të tifozëve, Golden Eagle Ylli e dominoi çerekun e parë tërësisht(24-17) si në fazën e mbrojtjes, ashtu edhe në të sulmit, ku shpeshherë Najee White i përfundonte aksionet me super-ngulitje që e elektrizonin publikun.

Sidoqoftë, entuziazmi i therandasve u zbeh në çerekun e dytë, pasi që Peja u fut me një mentalitet tjetër dhe arriti ta përmbysë rezultatin falë paraqitjes spektakolare të Dominique Wise, i cili ishte i pagabueshëm në gjuajtjet e tij. Pjesa e parë u përmbyll me 12 pikë epërsi në favor të Pejës, 33-45.

Në pjesën e dytë vendasit u munduan të kthehen në rezultat përmes gjuajtjeve për tre pikë, mirëpo dështuan katastrofalisht duke dështuar në 11 tentimet e tyre. Këtë gjë e shfrytëzoi Peja, që vetëm se e ngriti epërsinë e saj në 13 pikë, 52-65.

Edhe pse në çerekun e fundit Ylli arriti ta zvogëlojë paksa disavantazhin, Peja rindezi motorët dhe i dha fund ëndrrës së therandasve për finale duke triumfuar me rezultat, 66-95.

Në finalen e IPKO Kupës që do të zhvillohet të dielën, Pejën e pret Sigal Prishtina, e cila më herët gjatë ditës e mposhti Trepçën me lehtësi. /Telegrafi/