Ylli i pandalshëm, gjunjëzon edhe Bashkimin
Palestra ’13 Qershori’ në Therandë ishte e stërmbushur me tifozë të flaktë, të cilët i dhanë zemër skuadrës së tyre për të shënuar edhe një tjetër fitore të madhe.
Skuadra e Agron Berishës e nisi në mënyrë perfekte takimin, derisa gjatë 10 minutave të para shënoi 30 pikë dhe pranoi 22 sosh. Në vazhdim Bashkimi u tregua kundërshtar më i papërshtatshëm dhe gjatë çerekut të dytë ngushtoi epërsinë e Yllit në 41-37.
Edhe çereku i tretë ishte i frytshëm për Bashkimit të cilët ngushtuan në vetëm -1 pikë disavantazhin kur në semafor kishin kaluar 30 minuta lojë 56-55. Por në fund Ylli sërish krijoi epërsi deri në 10 pikë që ishte e pa arritshme nga Bashkimi edhe pse në asnjë sekondë nuk u dorëzua përballë ‘Xhebrailave’, sonte, raporton Korneri.
Qendra Najee White ishte fantastik sonte me ‘Double-Double’, 19 pikë e 14 kërcime, kurse fundori Washington regjistroi 19 pikë dhe kapiteni Gashi 12 të tjera.
Në anën Juniku me 21 pikë ishte më efikasi, kurse lojë të mirë treguan edhe Tankelewicz me 15 pikë e Muhamed Hasani me 14 sosh. /Telegrafi/


