Ylli i Hollywoodit Woody Harrelson nderohet në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Aktori i njohur amerikan, Woody Harrelson, ka mbërritur në Sarajevë, ku gjatë edicionit të 32-të të Sarajevo Film Festival do të nderohet me çmimin “Zemra e Nderit e Sarajevës” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e filmit.
Harrelson, 65 vjeç, ka ndërtuar një karrierë prej gati katër dekadash, duke interpretuar role të ndryshme në komedi, drama, filma aksion dhe seriale televizive.
Ai u bë i njohur për publikun amerikan përmes serialit “Cheers”, ndërsa më vonë u shqua në filma si “Natural Born Killers”, “The People vs. Larry Flynt”, “Zombieland” dhe “No Country for Old Men”.
Për publikun e Sarajevës, prania e tij ka një rëndësi të veçantë për shkak të filmit “Welcome to Sarajevo”, të vitit 1997, ku Harrelson luan rolin e gazetarit amerikan Jimmy Flynn.
Filmi, i cili trajton luftën në Bosnje dhe rrethimin e Sarajevës, do të shfaqet sërish në kuadër të festivalit.
Një nga rolet më të njohura të Harrelsonit për brezin e ri është Haymitch Abernathy në serinë “The Hunger Games”, teksa një tjetër rol i vlerësuar ishte ai i detektivit Marty Hart në sezonin e parë të “True Detective”, krahas Matthew McConaughey.
Gjatë karrierës së tij, Harrelson ka marrë tre nominime për Oscar, ndonëse ka punuar edhe si skenarist, regjisor dhe producent.
Vizita e Harrelsonit në Sarajevë, gati tri dekada pas xhirimeve të “Welcome to Sarajevo”, i jep një dimension të veçantë rikthimit të tij në qytetin që ishte pjesë e një prej filmave më të rëndësishëm të karrierës së tij. /Telegrafi/


