Ylli e do organizimin e “Final-Four”
Therandasit e eliminuan Kosova e Re Bashkimin në çerekfinale të IPKO Kupës, duke u bërë pjesë e “Final-Four”. Jo vetëm kaq. Tash, ekipi therandas po synon ta organizojë vetë fazën finale të këtij evenimenti, shkruan Zëri.
“Federata, sivjet do ta shpallë një lloj konkursi dhe ne do të bëjmë kërkesë që të na jepet e drejta e organizimit të “Final-Four” të Kupës. Ne e kemi numrin më të madh të shikueshmërisë në Kosovë këtë sezon dhe tifozët e zbukurojnë atmosferën", deklaroi për “Zërin”, Arben Fondaj, drejtor i klubit therandas.
"Mendoj se ne e meritojmë me plot të drejtë ta organizojmë këtë eveniment. Kemi një sezon të suksesshëm, entuziazëm dhe jemi rikthyer në Superligë pas një kohe të gjatë. Mendoj se kemi arsye të na mbështet Federata dhe klubet”, përfundoi ai. /Telegrafi/


