Please enter at least 3 characters.

Vuçiq në Pekin: Ankohet për BE-në, por e lidh Serbinë gjithnjë e më fort me Kinën

Vuçiqi shkoi në Pekin me një mesazh të dyfishtë, nga njëra anë u paraqit si lider i një vendi kandidat për BE që “po shtyhet” dhe “po kushtëzohet” nga Brukseli nga ana tjetër, po kërkon ta shndërrojë Kinën në shtyllë gjithnjë e më të rëndësishme të politikës dhe ekonomisë serbe.

Kjo është thelbi i kontradiktës, sa më shumë ankohet për presionin evropian, aq më shumë i jep Pekinit hapësirë për ta ngulitur ndikimin në Serbi.

Narrativa e “presionit të BE-së” i shërben Vuçiqit në disa fronte. Brenda vendit, ajo e justifikon ngadalësimin e procesit të integrimit: fajin nuk e ka Beogradi, por “kërkesat e tepërta” të Brukselit. Në planin diplomatik, ankesat krijojnë idenë se Serbia është e detyruar të kërkojë partnerë të tjerë sepse BE i vendos kushte që bien ndesh me mënyrën se si qeveriset dhe si merret vendimi politik në Serbi. Kjo i lejon Vuçiqit ta shesë balancimin mes Perëndimit dhe Lindjes si politikë “realiste”, jo si largim gradual nga rruga evropiane.

Kina, në këtë skemë, është partneri ideal, pra ofron investime, kredi dhe projekte infrastrukturore pa mekanizmat e fortë të transparencës që kërkon BE-ja. Kur një qeveri mund të nënshkruajë marrëveshje direkte, pa tenderë dhe pa debat të gjatë publik, përfiton shpejtësi politike. Dhe shpejtësia është monedhë e artë për një lider që e mat suksesin me “punë të kryera” dhe me projekte të dukshme. Ky është edhe shpjegimi pse kreditë kineze shihen si më tërheqëse: jo domosdoshmërisht sepse janë më të mira financiarisht, por sepse janë më të thjeshta politikisht.

Por këtu fillon problemi për aspiratat evropiane. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është thjesht rrugë për fonde, është rrugë për standarde. Nëse Serbia e zëvendëson gradualisht modelin evropian të financimit (me rregulla, tenderë, transparencë) me modelin kinez (me marrëveshje direkte dhe pragmatizëm politik), ajo nuk po e “balancon” thjesht BE-në, por po ndërton një sistem paralel që e dobëson logjikën e integrimit.

Edhe më domethënëse është se lidhjet me Kinën nuk kufizohen më te ekonomia. Bashkëpunimi është zgjeruar në fushën ushtarake: furnizim me armatim nga Kina, trajnim i përbashkët i njësive speciale, pra një afrim që krijon jo vetëm kontrata, por edhe varësi dhe ndërveprim të strukturave të sigurisë. Në momentin kur bashkëpunimi merr këtë formë, marrëdhënia me Kinën nuk është më “biznes”, është orientim strategjik. Kjo e bën më të vështirë që Serbia të shihet si vend kandidat që po harmonizohet gradualisht me BE-në dhe me arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Në Pekin, Vuçiqi mund të paraqesë “presionin e BE-së” si arsye për të kërkuar më shumë hapësirë ekonomike dhe politike nga Kina. Por realiteti është se pjesa më e madhe e këtij presioni buron nga mospërputhja e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në raport me Rusinë.

Refuzimi për sanksionet ndaj Moskës e vendos Beogradin në një kurs të ndryshëm nga Brukseli. Kjo zgjedhje pastaj prodhon pasoja, stagnim në integrime, më pak besim politik dhe më shumë kërkesa për rreshtim. Vuçiqi e paraqet këtë si presion të padrejtë; BE-ja e sheh si mungesë koherence nga një vend kandidat. Këtu, Pekini i ofron Vuçiqit një dalje, mbështetje që nuk kërkon rreshtim me standardet evropiane.

Një nyje tjetër ku afria Serbi–Kinë forcohet natyrshëm është gjuha e sovranitetit. Serbia kërkon mbështetje për pozicionin e saj rreth Kosovës, kjo duke ditur se Kina nuk e njeh Kosovën dhe, në këmbim, pret mbështetje për parimin “një Kinë” dhe për qëndrimin e saj ndaj Tajvanit. Prandaj, kjo e krijon një aleancë të pastër interesash pasi që secila palë e përdor tjetrën për të forcuar argumentin e vet në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Vuçiqi e shet Kinën si partner që “respekton rrugën tonë” , një kontrast i qëllimshëm me BE-në, e cila kushtëzon.

Edhe simbolika që Vuçiqi e ngrit se shkoi në Kinë pas Trumpit dhe Putinit, është pjesë e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm. Ai kërkon të shfaqet si lider i rangut të lartë, me qasje te qendrat globale të pushtetit, për të dërguar mesazh se Serbia nuk është e varur nga një bosht i vetëm. Por kjo simbolikë nuk ndryshon faktin kryesor, marrëveshjet që priten të nënshkruhen dhe investimet që premtohen e thellojnë prirjen e Serbisë drejt Kinës, ndërkohë që rruga drejt BE-së bëhet më e paqartë.

Në fund, ankesat ndaj Brukselit në Pekin nuk janë thjesht “ventilim” diplomatik. Ato janë pjesë e një strategjie, të normalizohet ideja se Serbia mund të ecë drejt BE-së vetëm nominalisht, ndërsa në praktikë të ndërtojë varësi ekonomike, teknologjike dhe të sigurisë me Kinën. Dhe sa më shumë të rritet kjo varësi, aq më e vështirë do të jetë të kthehet mbrapsht pa kosto politike, pa kosto ekonomike dhe pa përplasje me pritshmëritë e BE-së./The GeoPost.