Please enter at least 3 characters.

Von der Leyen: Zgjerimi i BE-së nuk duhet të jetë proces i ngadalshëm

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një proces i bazuar në meritë, duke nënvizuar se vendet që përmbushin kriteret e kërkuara avancojnë drejt anëtarësimit.

Ajo vlerësoi veçanërisht progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugën e integrimit evropian.

Duke folur nga Tivat, para nisjes së samitit BE–Ballkani Perëndimor, Von der Leyen tha se aktualisht ekziston një momentum i favorshëm për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve kandidate.

Sipas saj, fakti që zgjerimi bazohet në meritë nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht një proces të ngadaltë.

Ajo kërkoi që ky proces të bëhet më i shpejtë, më i besueshëm dhe më i dukshëm për qytetarët, si në vendet kandidate ashtu edhe në shtetet anëtare të BE-së.

Von der Leyen theksoi se qeveritë e vendeve aspirante duhet t’u shpjegojnë qytetarëve përfitimet që sjell anëtarësimi në BE, ndërsa edhe vendet anëtare kanë përgjegjësinë të komunikojnë vlerat dhe avantazhet e zgjerimit.

“Zgjerimi nënkupton më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe një rol më të fuqishëm të Evropës në skenën globale. Momenti është i përshtatshëm dhe tani duhet ta kthejmë këtë momentum në veprim konkret, e më pas në anëtarësim”, deklaroi ajo.

Ndryshe, Kosovën në këtë samit po e përfaqëson presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu. /Telegrafi/