Vinicius “mbyll gojët” e kritikëve: Starti më i mirë në La Liga që nga ardhja te Real Madridi
Pas valës së kritikave që e shoqëruan që nga Botërori i Klubeve dhe disa ndeshjeve që Xabi Alonso e nisi nga stoli, Vinicius Junior po kalon një moment të shkëlqyer te Real Madridi.
Sulmuesi brazilian po zhvillon fillimin më produktiv të sezonit në La Liga që prej ardhjes në “Santiago Bernabeu”.
Pas vetëm tetë ndeshjeve, Vini numëron pesë gola dhe katër asistime, një bilanc që dëshmon për rritjen e tij në efikasitet dhe maturi nën drejtimin e trajnerit të ri madrilen.
Në moshën 25-vjeçare, Vinicius po shfaq konsistencë dhe vendosmëri të lartë, duke u bërë një nga pikat kyçe të Real Madridit në nisjen e fortë të sezonit.
Pavarësisht dyshimeve të hershme, braziliani ka kthyer çdo kritikë në motivim dhe po i përgjigjet në mënyrën më të mirë: me paraqitje të klasit në fushë.
Me “El Clasicon” që po afrohet, forma e Viniciusit mund të jetë faktori vendimtar në garën për kreun e La Ligas./Telegrafi/


