Please enter at least 3 characters.

Vetëvendosje rikujton 12-vjetorin e miratimit të Ligjit për Amnisti: Kompromis i dëmshëm dhe gabim historik

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën ka përkujtuar 12-vjetorin e miratimit të Ligjit për Amnisti nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar atë si një prej vendimeve më të dëmshme në historinë e pasluftës.

Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, ligji ishte rezultat i marrëveshjes së vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe ka shërbyer si bazë për amnistimin e personave të përfshirë në krime.

Deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu, tha se Ligji për Amnisti u votua më 11 korrik 2013, si pasojë e marrëveshjes së nënshkruar më 27 qershor të po atij viti ndërmjet ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.

"Sot, më 11 korrik, bëhen 12 vite prej kur Kuvendi, nën kundërshtimin e VV, mori vendim të dëmshëm për të mundësuar votimin e ligjit për amnisti, ligj ky që doli si kompromis nga negociatat me Serbinë, përkatësisht marrëveshja që u arrit më 27 qershor 2013, e ashtuquajtur marrëveshja për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë, në atë kohë e negociuar nga Thaçi dhe Daçiq. Kjo marrëveshje që hidhte farën e asociacionit të komunave me shumicë serbe, me vete mori edhe obligimin që mundësoi amnistimin e kriminelëve serbë. Votimi i tij ishte një kompromis i dëmshëm dhe një gabim historik”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, deputeti Artan Abrashi e vuri theksin te përputhja e datës së miratimit të ligjit me përvjetorin e masakrës së Srebrenicës, duke e cilësuar këtë si një ironi tragjike.

“Ishte pikërisht më 11 korrik, dita kur kujtohet masakra më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore – ajo e Srebrenicës – që Kuvendi i Kosovës vendosi të miratonte një ligj që në fakt i falte krimet e tjera të Serbisë, këtë herë në Kosovë. Ky ligj nuk solli asnjë përmirësim në veri të vendit, siç dëshmojnë edhe katër vitet e fundit të qeverisjes sonë”, theksoi Abrashi. /Telegrafi/