Please enter at least 3 characters.

‘Vetëvendosje’ bëri tentim të ndalojë mallrat serbe, Qeveria bëri të kundërtën!

Mbas shtypjes së protestës paqësore të Lëvizjes “Vetëvendosje” nga ana e Policisë së Kosovës në vendet kufitare me Serbinë: Merdare dhe Dheu i Bardhë, opozitës më aktive kosovare, duket se alternativat për veprim sa vijnë e po i ngushtohen. Një alternativë është ajo e protestës dhe mosbindjes civile. Kjo alternativë, garanton drejtësi dhe emancipim. Alternativë e dytë është “mbyll sytë!”. Thonë se durimi është virtyt, por për shqiptaret kjo fjalë dita-ditës po merr kuptimin e fjalës “Kurrë”. Kjo alternativë e të bërit “sabër” garanton padrejtësi dhe zhdukje të opozitës. Me zhdukje duhet kuptuar një metamorfozë që finalizohet me shfuqizim politik. Një opozitë e pafuqishme politikisht është një opozitë vetëm në letër. Një vend me opozitë vetëm sa për sy e faqe, mund të jetë po aq demokratik sa ishte në disa shtete ku fjala e lire ishte vetëm farsë. Nëse opozitarët kosovarë zgjedhin opsionin e parë, para se të përballen me dhunën shtetërore do të përballen me dilemën morale se: nëse drejtësia shpëtohet vetëm duke shkelur ligjin, a duhet shkelur ligji?

Tensioni në shoqëri nuk duhet të trembë askënd për sa kohë që lind si pasojë e protestave paqësore. Sokrati mendonte se për çlirimin e mendjes njerëzore nga skllavëria e miteve dhe e gënjeshtrave, tensioni mendor është një domosdoshmeri. Gjithashtu, tensionin mendor Sokrati e konsideronte si shtytësin fillestar të njerëzimit drejt universit të logjikës dhe lumturisë. Çdo pushtet me karakter jo-demokratik ka tendencën që tensionin social në shoqëri ta karakterizojë si diçka negative që dëmton paqen, ekonominë dhe rendin publik. Për këtë të fundit, shumica e shqiptarëve janë të vetëdijshëm se sa shumë e vlerëson një sistem jo-demokratik rendin dhe rregullin, ose thënë ndryshe: vendosjen e shoqërisë në një vijë.

Shoqëria jonë nuk ka pse t’i trembet tensionit social. Të gjithë duhet ta kuptojmë nevojën për protesta paqësore, sepse ato krijojnë tension pozitiv, pa të cilin rruga drejt së keqes është e sigurt. E gjithë shoqëria jonë duhet të mbështesë çdo lloj proteste, por me kusht që ajo të mos jetë e dhunshme. Kushdo që thyen një ligj të padrejtë, duhet ta bëjë në mënyrë të hapur dhe me gatishmëri të plotë personale për të pranuar ndëshkimin. Çdo qytetar që shkel ligjin, pasi ndërgjegjja e tij i thotë se është i padrejtë, dhe me gatishmëri të plotë pranon ndëshkimin, duke parë se kjo është e vetmja mënyrë që mund t’i zgjojë ndërgjegjen shoqërisë, ai në të vërtetë tregon se është mbrojtësi më i madh i ligjit.

Televizionet kosovare paraqitën momentet filmike, kur lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti foli disa herë me megafon nga rreshti i parë i protestës duke thënë që kjo protestë nuk është kundër policisë dhe policëve, por kundër Serbisë dhe në përputhje me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Ai tha që kjo protestë është paqësore në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe për prodhimin e vendit. Ai iu bëri thirrje shumë herë forcave policore që ishin në kordonin policor dhe eprorëve të tyre që të mos i sulmojnë protestuesit, sepse ata do të jenë paqësorë, dhe të mos i dëgjojnë urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë së Kosovës të cilat janë vënë në shërbim të hyrjeve dhe ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë. Ndërsa, deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi është shprehur se nuk do t’i jepet mundësia Policisë së Kosovës që të ndërhyjë, sepse ata do të jenë të qetë.

Por, çka në të vërtetë ndikoi që kjo protestë paqësore të eskalojë me dhunë?! Kjo pyetje sot dhe ditëve tjera në vijim, do të jenë temë e debateve të zjarrta jo vetëm në mediet kosovare-shqiptare, porse edhe nëpër shumë lokale pa përjashtuar këtu edhe odat tona, ku gjatë bisedave do të pihen edhe shumë gota çaj – ‘rusi’.

(Autori i shkrimit është gazetar i pavarur)