Please enter at least 3 characters.

Vendim historik - Moldavia zyrtarisht del nga CIS

Moldavia po tërhiqet nga Komuniteti i Shteteve të Pavarura (KSP), pasi parlamenti i vendit votoi për anulimin e Marrëveshjes për themelimin dhe Statutit të kësaj organizate.

Siç raportohet, procedura e daljes është iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, duke argumentuar se KSP nuk i respekton vlerat dhe parimet themelore të saj.

Autoritetet në Kishinau kanë akuzuar Rusinë për shkelje të rregullave që kërkojnë nga vendet anëtare të respektojnë integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve ekzistues, duke përmendur si shembuj luftërat në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë.

Shërbimi për shtyp i parlamentit moldav deklaroi se anulimi i marrëveshjes është një hap “natyror dhe i pashmangshëm”, duke pasur parasysh synimin e Moldavisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja themeluese e KSP-së u nënshkrua në dhjetor të vitit 1991 nga 11 ish-republika sovjetike, përfshirë Moldavinë, duke formalizuar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Autoritetet kanë bërë të ditur se dalja nga KSP do t’i kursejë buxhetit të shtetit rreth 3.1 milionë lei (rreth 610 mijë) në vit, që është kontributi vjetor i Moldavisë në këtë organizatë.

Gjithashtu, Moldavia do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie me vendet anëtare në nivel dypalësh dhe shumëpalësh dhe do të mbetet pjesë e disa marrëveshjeve, sidomos në fushën ekonomike, tregtare dhe sociale. /Telegrafi/