Please enter at least 3 characters.

Vedat Muriqi nuk i fsheh emocionet pas rikthimit te Fenerbahce: Më shumë se një klub për mua

Vedat Muriqi ka folur me emocione dhe krenari për rikthimin e tij te gjiganti turk Fenerbahçe, duke theksuar se kjo periudhë për të është shumë më tepër se një kthim i zakonshëm në karrierë.

Sulmuesi kosovar u rikthye në Stamboll pas aventurës në Spanjë me Mallorca, ku kishte kaluar një periudhë të rëndësishme në La Liga. Pas mosarritjes së mbijetesës së Mallorcës, ai vendosi të kthehet në klubin turk ku kishte luajtur edhe më parë në sezonin 2019/2020.

Në një intervistë për televizionin e Fenerbahces, Muriqi shprehu mirënjohjen dhe emocionin për mundësinë që i është dhënë sërish nga klubi.

“Është burim krenarie të jem këtu. E dija që më ka munguar ky vend prej momentit kur erdha në klub, por tani e kuptoj se sa shumë më ka munguar. Më kanë dhënë një mundësi tjetër në këtë klub të madh”.

“Ky klub i madh është si asnjë tjetër. Kam pasur mundësi dhe kam fituar përvojë në Evropë, por madhështia e Fenerbahces është vërtetë diçka tjetër”, ka thënë fillimisht Muriqi.

Duke folur për zhvillimin e tij si lojtar, sulmuesi i Kosovës theksoi se rikthimi në Turqi e gjen atë më të pjekur dhe më të fortë.

“Po kthehem tjetër lojtar. Kam fituar përvojë. Kam parë shumë gjëra të ndryshme. Vedati 25-vjeçar ka shkuar, tani është një Vedat me më shumë përvojë. Por është një Vedat shumë më i uritur se kur ishte 25-vjeçar”, u shpreh ai.

“Qëllimi im është të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur. Asnjëherë nuk i vë synim vetes në fillim të edicionit. Qëllimi është të kontribuoj plotësisht për klubin në një mënyrë. Me gola, asistime, me shpirt luftarak, duke qenë mentor jashtë fushe”.

“Dua të kontribuoj sa më shumë të jetë e mundur. Synimi kryesor është titulli i kampionit dhe mendoj se do ta fitojmë titullin me kontributin e të gjithëve. Jam i gatshëm të bëj çdo gjë që kërkohet për Fenerbahcen”, përfundoi Muriqi./Telegrafi/