Vazhdon rinovimi i Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas përfundimit të punimeve në kulm
Rikonstruksioni i Pallatit të Rinisë në Prishtinë po ecën me ritëm të mirë, ndërsa komuna ka njoftuar se pas sanimit të plotë të kulmit, punimet kanë hyrë në fazën e re të rinovimit të fasadës dhe zëvendësimit të xhamave.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ekipi punues është duke vazhduar me intensitet të shtuar në këtë projekt, i cili synon të rikthejë funksionalitetin dhe pamjen moderne të një prej objekteve ikonike të kryeqytetit.
Rama ka uruar punë të mbarë për ekipet që po e realizojnë projektin, duke theksuar rëndësinë e rinovimit të Pallatit të Rinisë si hapësirë kulturore, sportive dhe shoqërore për të gjithë qytetarët.
Punimet pritet të përmirësojnë dukshëm sigurinë dhe estetikën e objektit, ndërsa fazat e tjera të projektit pritet të zhvillohen në vazhdimësi. /Telegrafi/


