Vazhdon puna në sallën e sportit në Sllatinë, pritet të përfundojë brenda këtij muaji
03/09/2026
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se po vazhdojnë punimet në sallën e sportit në Sllatinë, e cila është përuruar vitin e kaluar.
Sipas njoftimit të komunës, aktualisht po punohet në vendosjen e trafos dhe kyçjen e objektit me energji elektrike.
Drejtoria e Shërbimeve Publike është duke punuar për përmbylljen e punimeve, ndërsa sipas komunës, ato pritet të përfundojnë brenda këtij muaji.
Në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve ishte edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Izja Mjeku.
Komuna ka theksuar se synimi është që salla sportive të jetë plotësisht funksionale dhe në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


