“Vajzën po ta besoj ty”, dalin negociatat mes Shefit të Policisë së Roskovecit dhe Refit Buzit
Detaje të reja kanë dalë nga momenti kur Refit Buzi liroi ish-partneren e tij Rozalinda Plakën, të cilën e mbajti peng për 4 orë me radhë.
Sipas asaj që raporton Tv Klan, 35-vjeçari e liroi ish-partneren gjatë negociatave të zhvilluara nga Shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Korroveshaj.
Pas disa orëve rezistencë, efektivi Korroveshaj afrohet drejt tyre, duke e këshilluar Buzin të mos i bënte keq vajzës, ndërsa një pjesë e negociatave është zbardhur nga gazetarja e Klan News, Anila Sefa.
“Personi i cili ka bërë të mundur negocimin dhe ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar vajzën ka qenë shefi i policisë së Rroskovecit, quhet Mariglen Korroveshaj. Ky person është polici i cili prej disa orësh ka biseduar me autorin 35 vjeçar dhe ka bërë të mundur lirimin e vajzës. Pasi është lënë e lirë vajza, këto janë fjalët që polici i është drejtuar autorit dhe i ka thënë: Lëre vajzën se është në besën time. Dhe 35 vjeçari i ka thënë: Merre vajzën, po ta besoj ty. Nëse shikoni në pamje polici është larguar një moment dhe ka hedhur nga dritarja atletet autori, është kthyer përsëri polici Korroveshaj dhe i ka thënë:Hajde edhe ti me mua. Je në besën time.Autori i është përgjigjur: Më lër të mendohem edhe 30 minuta. Më pas polici e ka marrë vajzën në krah pasi ajo nuk mund të ecte. Pasi ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe polici e ka marrë në krahë. Plagët e saj kanë ardhur si pasojë e dhunës që autori kishte ushtruar ndaj saj. Ka qenë një dhunë që prej disa orësh ka vazhduar në makinë, tha gazetarja e Klan News, Anila Sefa.
Më tej ajo shtoi se prindërit e Rozalinda Plakës janë varrosur mëngjesin e sotëm rreth orës 11:00. Ato janë përcjellë në banesën e fundit jo vetëm nga familjarët por e gjithë zona e Rroskovecit.
Gazetarja, Sefa tha se vetë Rozalinda nuk ka qenë e pranishme në varrimin e prindërve të saj, pasi gjendja psikologjike është e rënduar.
Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike e reja ende nuk është marrë në pyetje nga policia.


