Please enter at least 3 characters.

“Vajzat janë të mrekullueshme si gjithmonë”, i kishte shkruar Lajçak pedofilit të ndjerë Epstein

Në vitin 2018, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i dërgoi pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein një mesazh nga Kievi, duke shkruar “Përshëndetje nga Kievi. Thjesht dua ta konfirmoj se vajzat janë të mrekullueshme si gjithmonë”.

Më pas, Lajçak i dërgoi Epsteinit edhe një “përshëndetje nga Kievi”, bashkë me një fotografi, e cila ishte e censuruar, shkruajnë mediat sllovake.

Ky komunikim është pjesë e mbi tre milion faqe dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj Jeffrey Epsteinit, të cilat Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara publikoi të premten e kaluar.

Sipas mediave sllovake, emri i Lajçak – i cili ka shërbyer gjithashtu si i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi – shfaqet 346 herë në këto dokumente.

Materialet e publikuara tregojnë për një sërë takimesh midis Lajçak dhe Epsteinit, si dhe për biseda miqësore që lidhen me “vajzat”. Më tej, emri “Miro”, siç e thërriste shpesh Epstein Lajçakun, shfaqet mbi 700 herë, shkruan politico.

Kur në nëntor të vitit të kaluar u publikua pjesa e parë e komunikimeve mes Lajçak dhe Epsteinit, këshilltari i kryeministrit sllovak, Robert Fico mbrojti Lajçakun, duke deklaruar se ai kishte komunikuar me pedofilin e dënuar vetëm në mënyrë shoqërore dhe brenda detyrave diplomatike. Megjithatë, raportet e reja tregojnë se komunikimi i tyre ka qenë intensiv dhe miqësor.

Nga shtatori i vitit 2017 për një vit, Lajçak shërbeu si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe kaloi shumë kohë në New York. Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë ka mohuar me vendosmëri që të ketë komunikuar me Epstein lidhur me vajzat.

Megjithatë, dokumentet e reja tregojnë se Lajçak në një rast i dërgoi Epsteinit një përshëndetje nga Kievi, duke shkruar se “vajzat këtu janë të mrekullueshme”.

Në kohën kur Lajçak i dërgonte këto mesazhe nga Kievi, ai po merrte pjesë në një takim në Ukrainë me ish-presidentin, Petro Poroshenko dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Në mesazhe të tjera, Lajçak i dërgoi Epsteinit një fotografi nga Moska – e censuruar – dhe Epstein i shkroi më pas se do të preferonte “një pamje nga brenda”.

Lajçak iu përgjigj duke thënë se “vajzat janë të jashtëzakonshme”, ndërsa Epstein vazhdoi bisedën duke i përshkruar këto vajza si “eksporti më i mirë rus”.

Në një tjetër mesazh, Lajçak i shkruan Epsteinit se nuk kishte asnjë vajzë me vete në atë moment. Epstein i përgjigjet se ishte me dy vajza, dhe kjo gjë Lajçakut i duket “padrejtësi”.

“Por unë nuk do të jem president”, i thotë më tej Epstein. /Telegrafi/