Ushqimi i fëmijëve gjatë verës, këshillat e Ariana Zhubi Roka në podcastin “Shëndeti në rend të parë”
Në episodin e radhës të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital Ariana Zhubi Roka, autorja "Kuzhina e bebit", ka ndarë këshilla të rëndësishme mbi ushqyerjen e fëmijëve gjatë ditëve të nxehta të verës.
Zhubi Roka theksoi se për shkak se fëmijët janë vazhdimisht aktivë dhe për shkak të djersitjes, humbasin lëngje që duhet të zëvendësohen sa më shpesh me ujë.
"Shpesh prindërit harrojnë të ofrojnë ujë gjatë ditës, duke menduar se fëmijët do ta kërkojnë vetë kur të kenë etje. Por, në të vërtetë, uji duhet të ofrohet vazhdimisht, sidomos pas çdo aktiviteti fizik", tha ajo.
Ndër të tjera, Zhubi Roka vuri në dukje edhe rëndësinë e ruajtjes së ushqimeve në çanta termike apo termo-enë, veçanërisht gjatë pushimeve në plazh apo në pishinë, për të shmangur prishjen dhe për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve.
Zhubi Roka theksoi se te foshnjat nën 6 muaj, gjidhënia mbetet burimi kryesor i lëngjeve dhe ushqimit, ndërsa për ata që janë në ushqyerje të kombinuar, prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të dehidrimit si: tharje buzësh, mungesë lagështie në pelenë, apo ngjyrë e errët rreth syve.
Kur vjen puna tek ushqimi, nutricistja thekson rëndësinë e frutave dhe perimeve të stinës.
"Nuk ka nevojë të komplikojmë gjërat – trangujt, pjeshkë, shalqiri, domatet, janë superushqime të verës që janë të pasura me ujë dhe vitamina, dhe që tolerohen mirë nga fëmijët", theksoi ajo.
Për më shumë ndiqni podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/


