"Ura" e Prizrenit shkon në Mostar
Ftesa zyrtare teatrit të Prizrenit i ka mbërritur nga Ivica Simiq, drejtues dhe themelues i rrjetit EPICENTER, me seli në Zagreb të Kroacisë. Drama “Ura” e autorit Jeton Neziraj është vënë në skenë në fund të Shtatorit të vitit që shkoi nga regjisori anglez David Gothard.
Forumi i Dramaturgëve i Teatrit EPICENTER do të ketë një program të larmishëm, duke përfshirë promovimin e disa dramave gjermane të përkthyera në kroatisht, prezantimin e gjashtë dramaturgëve nga Ballkani (ndër ta edhe Jeton Neziraj nga Kosova), prezantimi i gjashtë dramave nga Ballkani (përfshi edhe dramën “Ura”).
Do të ketë gjithashtu edhe një simpozium me temën “Teatri për fëmijë dhe të rinj në kohë tranzicioni”. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe do të konstituohet edhe Ansambleja e Rrjetit të Teatrit EPICENTER.
Nga Kosova, përpos ekipit së shfaqjes “Ura” pritet të marr pjesë edhe regjisorja, Zana Hoxha – Krasniqi dhe drejtori i teatrit të Prizrenit, Xhevdet Doda.
Në ftesën që Simiq i ka dërguar teatrit të Prizrenit, ndër të tjera thuhet “Shfaqja “Ura” do të jetë një shembull i shkëlqyeshëm për diskutimin tonë rreth angazhimit social të teatrit për fëmijë dhe të rinj”. “Ura” do të jepet në Teatrin e Kukullave në Mostar të Bosnjës me datë 24 prill.
Ekipi e shfaqjes “Ura” përbëhet nga: aktorët: Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Besnik Krapi, Alban Krasniqi dhe Arben Zharku. Disenji i skenës dhe kostumeve: Edi Agagjyshi, menaxhere e skenës: Vesa Kraja, ass. producente: Zoga Ceta, video: Yll Çitaku, asistente e disenjt të skenës dhe kostumeve: Vesa Kraja, përkthyes i dramës: Fadil Bajraj, disenji i posterit: Albert Heta, producentë ekzekutiv: Arben Zharku dhe Adrian Morina. “Ura” është financuar nga Freedom House me fondet e USAID, nga Olof Palme International Center nga Suedia si dhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.
Drejtuesit e Teatrit Profesionist të Prizrenit dhe ata të Qendrës për Zhvillimin e Teatrit për Fëmijë janë optimist se institucionet kosovare do të mbulojnë shpenzimet e rrugës së trupës deri në Mostar.


