Please enter at least 3 characters.

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut diskutojnë në Pejë dialogun ndërkulturor dhe bashkëjetesën

Me rastin e 21 Majit, Ditës Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ka organizuar sot një tryezë të rrumbullakët me titull “Universiteti si Platformë për Dialog dhe Bashkëjetesë Ndërkulturore në Kosovë”.

Aktiviteti u mbajt në Hotel “Dukagjini” dhe mblodhi zyrtarë institucionalë, përfaqësues të komunitetit akademik, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të gjyqësorit, vetëqeverisjes lokale, si dhe organizata ndërkombëtare e joqeveritare. Sipas organizatorëve, synimi ishte të shqyrtohej roli i arsimit të lartë në integrimin e komuniteteve dhe ndikimi social i dialogut ndërkulturor.

Në hapje të ngjarjes, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, theksoi nevojën për qasje institucionale ndaj diversitetit dhe përfshirjes në arsimin e lartë. Ndërkaq, si i ftuar nderi, pjesëmarrësve iu drejtua edhe Dr. Neshad Albani, në emër të Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut, Forumit të Paqes në Pejë dhe Rotary Club Peja.

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut diskutojnë në Pejë dialogun ndërkulturor dhe bashkëjetesëntelegrafi.com

Në emër të Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, Prof. Asoc. Dr. Anita Cucoviç prezantoi biografinë e Dr. Neshad Albanit, duke theksuar angazhimin e tij në projekte humanitare dhe rolin e tij në zhvillimin e lëvizjes Rotary në Kosovë. Në këtë kuadër u përmendën iniciativa për trajtime mjekësore të fëmijëve jashtë vendit, mbështetje për infrastrukturë shëndetësore e arsimore, si dhe përpjekje për çështje të të drejtave të njeriut dhe barazisë, përfshirë edhe nisma ligjore lidhur me mosdiskriminimin e gjuhës shqipe në hapësirat digjitale.

Po ashtu u prezantua edhe profili profesional i rektorit Krasniqi, me theks në angazhimin e tij për ndërkombëtarizimin e universitetit dhe ndërlidhjen me rrjete akademike evropiane, si dhe në modernizimin e kurrikulave në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe kërkesat e tregut të punës.

Një pjesë e veçantë e ngjarjes ishte prezantimi i hulumtimit të Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut me titull “Universiteti si Platformë për Dialogun dhe Bashkëjetesën Ndërkulturore në Kosovë”, i prezantuar nga rektori Krasniqi, ku u ngritën çështje lidhur me ekzistencën dhe zbatueshmërinë e politikave të diversitetit në universitete.

Në diskutimin panel u trajtuan tema si gjuha dhe qasja në arsim, përfaqësimi dhe toleranca ndërmjet komuniteteve, diskriminimi dhe barrierat institucionale, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndëretnik. Në panel folën përfaqësues nga OSBE-ja, Kuvendi i Kosovës, Këshilli Prokurorial, gjyqësori, Avokati i Popullit, vetëqeverisja lokale dhe shoqëria civile.

Pas panelit, u mbajt një diskutim i hapur ku pjesëmarrësit dhanë propozime për përmirësimin e politikave dhe praktikave publike në arsim, ndërsa në përfundim u shpërndanë certifikata dhe u prezantuan rekomandime kryesore për institucionet dhe palët e interesuara. /Telegrafi/