U përfol se FBI e kishte ndaluar, presidenti i Argjentinës reagon pas teorive që tronditën vendin
Finalja e Kupës së Botës 2026 do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për festën madhështore në Spanjë pas triumfit, por edhe për valën e polemikave dhe teorive konspirative që shpërthyen në Argjentinë pas golit të Ferran Torresit, i cili i hoqi "Albicelestëve” kurorën e kampionit të botës.
Pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës, në Argjentinë nisën të qarkullojnë teori të shumta për arsyet e disfatës. Disa prej tyre përfshinin pretendime për presione të jashtme, ndërhyrje të supozuara nga FBI-ja amerikane, madje edhe histori të pavërteta për kërcënime ndaj familjeve të futbollistëve.
Përballë kësaj vale thashethemesh, figura të rëndësishme të futbollit argjentinas dolën për të vendosur qartësi.
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Claudio Tapia, i cili kishte qëndruar i heshtur pas finales, reagoi përmes një deklarate të gjatë në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje tifozëve të pranojnë humbjen dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme.
Madje, në mesin e teorive që qarkulluan ishte edhe pretendimi absurd se FBI-ja kishte ndaluar vetë Tapian.
"Ne nuk arritëm ta kalojmë Spanjën. Ata ishin skuadra më e mirë dhe e merituan fitoren. Duhet të kemi guximin ta pranojmë këtë. Në sport mësojmë t'i pranojmë humbjet me të njëjtin krenari me të cilën festojmë fitoret", shkroi Tapia.
"Po, humbëm finalen, por e vërteta është se kjo skuadër i ka dhënë vendit tonë gëzime të mëdha. Argjentina ka fituar shumë sepse kjo skuadër ka treguar edhe një herë vlerën e saj”.
"Na dhemb sepse kemi mentalitet konkurrues, sepse jemi skuadra më e dekoruar në histori dhe sepse vendi i dytë nuk i kënaq kurrë ambiciet tona”.
"Mos u mashtroni nga gënjeshtrat dhe fushatat që synojnë vetëm të na destabilizojnë. Mos u përpiqni t'i ktheni tifozët kundër atyre që i kanë dhënë kaq shumë futbollit argjentinas”, përfundoi ai./Telegrafi/


