U ndaluan në doganë, mbi 6000 maica asgjësohen për cenim të pronësisë intelektuale
Dogana e Kosovës ka mbikëqyrur asgjësimin e mbi 6000 maicave, të cilat janë konstatuar se cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti kishte nisur më 2 qershor 2026, kur përmes para-deklarimit në Terminalin Doganor në Mitrovicë, një importues kishte deklaruar mall për zhdoganim pa specifikuar markën tregtare të produkteve.
Pas analizës së riskut dhe përzgjedhjes për kontroll fizik e dokumentar, dërgesa ishte përzgjedhur për ekzaminim të detajuar nga zyrtarët doganorë. Gjatë kontrollit, sipas Doganës, ishin identifikuar elemente që ngritën dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në vijim të procedurave, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës kishte kontaktuar bartësin e së drejtës, i cili kishte konfirmuar se produktet përbënin shkelje të të drejtave të mbrojtura.
Dogana bëri të ditur se kishte ndërmarrë masat ligjore, duke ndaluar lirimin e mallit, duke iniciuar procedurën e kundërvajtjes doganore ndaj importuesit dhe procedurën për asgjësimin e produkteve.
Mallrat janë asgjësuar më 8 korrik 2026 nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, me qëllim që ato të mos qarkullojnë në tregun e Kosovës.
"Veprimet janë ndërmarrë në zbatim të Ligjit për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, si dhe dispozitave përkatëse të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës", thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e tregtisë së mallrave të falsifikuara dhe mbrojtjen e konsumatorëve, bizneseve legjitime dhe konkurrencës së ndershme në treg. /Telegrafi/


