Please enter at least 3 characters.

Trumpi më në fund e ka kuptuar se Putini mendon se ai është një idiot

Le të shpresojmë që Donaldi është i tërbuar nga inati dhe do të godasë atje ku Putinit i dhemb më shumë.

Burimi:  The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndërkohë që negociatat për paqe janë gati të rifillojnë, Rusia në këtë fundjavë ndërmori një sulm masiv me dronë dhe raketa kundër Ukrainës. Ky ishte kulmi i një jave me sulme të vazhdueshme ndaj objektivave civile. Kremlini këmbëngul, sigurisht, se Rusia po sulmon objektiva ushtarake, por edhe mbështetësit më cinikë të Rusisë do ta kishin të vështirë të gëlltisin idenë se çdo spital dhe shkollë në Ukrainë është mbushur me tanke dhe raketa. Edhe vetë presidenti Trump duket se më në fund ka arritur në përfundimin se Putini po e trajton si budalla, sidomos pas shpërthimit të tij të ashpër - të dielën - ndaj udhëheqësit rus.

Të dielën, presidenti amerikan u shpreh me mllef se "nuk i pëlqen" ajo që po bën Putini dhe e quajti atë "krejtësisht i çmendur". Për të hedhur benzinë mbi zjarrin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sugjeroi - në reagim - se Trumpi po vuan nga një "mbingarkesë emocionale", ndërsa gazetat ruse kryesojnë me lajmin se qeveria amerikane po vendos tarifa të larta mbi Evropën, por jo mbi Rusinë.

Gazetat ruse mund të jenë të mbushura me retorikë kundër Ukrainës dhe Evropës, por janë gjithashtu të mbushura me lajme për gjendjen e mjerueshme të ekonomisë ruse. Gjithçka, përveç prodhimit të tankeve, është në rënie të lirë - dhe prodhimi i tankeve ende nuk është as afër i mjaftueshëm për të zëvendësuar humbjet e mëdha të luftës. Nëse bëhen realitet kërcënimet e Arabisë Saudite dhe ShBA-së për ta ulur çmimin e naftës nën 50 dollarë, për fuçi, makineria e luftës ruse ka gjasa të ndalet deri në fund të këtij viti.

Ajo që është shqetësuese është se në median ruse përhapet gjerësisht pohimi se “ligjërisht” Bashkimi Sovjetik ende ekziston dhe se Operacioni Special Ushtarak në Ukrainë është një çështje e brendshme. Sipas kësaj logjike, kjo do të vlente edhe nëse Rusia do të pushtonte shtetet baltike dhe Poloninë - ashtu siç presin këto vende, për çfarë po rrisin forcat e tyre, sa më shpejt të jetë e mundur.

Por, më në fund, presidenti Trump duket se e ka kuptuar se rusët mendojnë se ai është idiot. Ata tani po e tallin hapur dhe ai më në fund këtë e ka marrë vesh. Presidenti amerikan ka kuptuar me vonesë se “djemtë e këqij” janë në Moskë dhe jo në Kiev apo në kryeqytetet e tjera evropiane. Gabimi i madh që bëri tani Moska ishte se e neglizhoi sqimën e Trumpit. Ky është një gabim për të cilin Vladimir Putini mund të pendohet thellë. Trumpi, nga inati për mungesën e respektit të qartë nga ana e rusëve, mund të shtypë butonin e sanksioneve dhe t’ia ndërpresë Moskës të ardhurat jetike nga nafta, të cilat e mbajnë në këmbë ushtrinë e madhe dhe ekonominë e rrënuar.

Sinqerisht, shpresoj - dhe me shumë gjasë shumica jashtë Kremlinit shpresojnë bashkë me mua - që Donald Trump tani është i tërbuar nga inati dhe do të godasë Rusinë atje ku i dhemb më shumë. Kjo është mundësia më e mirë për t’i dhënë fund luftës, më mirë se sa të përpiqesh të negociosh me Putinin. /Telegrafi/