Please enter at least 3 characters.

Trump rrit tarifat ndaj Kanadasë me 10 për qind

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të rrisë tarifat për importet e mallrave kanadeze me 10% shtesë për shkak të një reklame anti-tarifore të transmetuar në Ontario.

Reklama përdori fjalët e ish-presidentit amerikan Ronald Reagan për të kritikuar tarifat amerikane.

Ndryshe, Trump i zemëruar të premten anuloi "të gjitha negociatat tregtare" me Kanadanë.

Doug Ford, kryeministri i Ontarios, tha se do ta tërhiqte reklamën nga e hëna, por ajo vazhdoi të transmetohej.

Trump tha: “Reklama e tyre duhej të hiqej MENJËHERË, por ata e lanë të transmetohej, duke e ditur se ishte një MASHTRIM.”

“Andaj unë po e rris tarifën ndaj Kanadasë me 10%.”

Trump pretendoi se reklama kishte keqinterpretuar pozicionin e Reagan, një president me dy mandate dhe një figurë e dashur në Partinë Republikane.

Bëhet e ditur se Reagan kishte përdorur pjesën më të madhe të fjalimit të tij të vitit 1987, të paraqitur në reklamën e Ontarios, duke shpjeguar argumentet kundër tarifave.

Trump tha se reklama kishte për qëllim të ndikonte në Gjykatën Supreme të SHBA-së përpara debateve të planifikuara për muajin e ardhshëm, të cilat mund të vendosnin nëse presidenti ka fuqinë për të vendosur tarifat e tij gjithëpërfshirëse.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të hynte në fuqi rritja prej 10%, ose nëse do të zbatohej për të gjitha mallrat kanadeze. /Telegrafi/