Please enter at least 3 characters.

Trump: Disa vende janë gati të dërgojnë forca në Gaza për t'u marrë me Hamasin

Në një postim të ri në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur pretendimet e tij të djeshme se Hamasi do të "zhduket", nëse nuk i përmbahet kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.

Trump shkroi se disa vende të Lindjes së Mesme thanë se janë gati të dërgojnë trupa në Gaza "nëse Hamasi vazhdon të veprojë keq, duke shkelur marrëveshjen e tyre me ne".

"Ende ka shpresë që Hamasi do të bëjë atë që është e drejtë. Nëse nuk e bëjnë, fundi i Hamasit do të jetë i shpejtë, i tërbuar dhe brutal" shtoi presidenti amerikan, transmeton Telegrafi.

Kjo vjen pasi Izraeli dhe Hamasi akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të kushteve të marrëveshjes në ditët e fundit.

Izraeli tha se trupat e tij u sulmuan nga luftëtarët e Hamasit të dielën. Dy ushtarë u vranë gjatë incidentit.

Mbrëmë, presidenti amerikan foli për zhvillimet e fundit, pasi tha se kishte "një situatë të vogël me Hamasin" që do të "zgjidhej shumë shpejt".

Ai tha se "ne" do ta "zhdukim" Hamasin nëse grupi nuk "sillet mirë".

Kur një gazetar e pyeti se kush do ta bënte këtë, Trump tha se trupat amerikane nuk do të përfshiheshin në terren dhe sugjeroi që kombe të tjera, përfshirë Izraelin, do të ndërmerrnin veprime ushtarake.

Trump gjithashtu kishte kërcënuar javën e kaluar se do të "hynte dhe do të vriste" Hamasin nëse nuk do të ndalonte një seri vrasjesh të raportuara, pasi grupi pretendoi se kishte ekzekutuar palestinezë që "bashkëpunuan" me Izraelin. /Telegrafi/