Trump bëhet presidenti i parë amerikan në detyrë që shfaqet në një monedhë
Thesari amerikan i monedhave (US Mint) ka nxjerrë në qarkullim monedhën 1-dollarëshe të vitit 2026 me portretin e presidentit Donald Trump, duke shënuar herën e parë që një president amerikan në detyrë shfaqet në një monedhë të destinuar për përdorim të përditshëm.
Monedha, e quajtur “dollari i artë”, tashmë është në qarkullim. US Mint u ka bërë thirrje qytetarëve të kontrollojnë kusurin e tyre, ndërsa koleksionistët mund ta blejnë në rrotulla me 25 monedha ose në qese me 100 monedha. Çmimi është 61 dollarë për një rrotull dhe 154.50 dollarë për një qese.
Megjithatë, gjetja e saj në kusurin e përditshëm mund të jetë e vështirë, pasi monedhat 1-dollarëshe përdoren shumë më rrallë në SHBA sesa kartëmonedhat, shkruan euronews.
Për koleksionistët ekziston edhe një version më i veçantë. US Mint ka prodhuar 250 mijë monedha më 4 korrik, të cilat mbajnë një shenjë të posaçme “July 4th”.
Pavarësisht ngjyrës së artë, monedha nuk përmban ar. Ajo përbëhet nga 88.5 për qind bakër, ndërsa pjesa tjetër përfshin sasi më të vogla zinku, mangani dhe nikeli. Monedha është prerë në Filadelfia dhe nuk ka shenjë të veçantë të uzinës së prodhimit.
Në pjesën e përparme të monedhës është portreti i Trumpit, i realizuar nga Joseph Menna bazuar në një fotografi zyrtare të Shtëpisë së Bardhë. Përfshihen mbishkrimet “LIBERTY”, “IN GOD WE TRUST” dhe datat 1776–2026.
Në pjesën e pasme ndodhet vula presidenciale e SHBA-së, ndërsa në mburojën e shqiponjës është shtuar numri 250, në shenjë të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Ekziston një precedent historik, por jo plotësisht i njëjtë. Presidenti Calvin Coolidge u shfaq së bashku me George Washingtonin në një monedhë 50-centëshe në vitin 1926, me rastin e 150-vjetorit të pavarësisë. Megjithatë, ajo ishte një monedhë përkujtimore dhe jo një monedhë e destinuar për qarkullim të përditshëm.
Ndërkohë, baza ligjore për vendosjen e imazhit të një presidenti në detyrë në një monedhë që qarkullon në përdorim të përditshëm është kundërshtuar. /Telegrafi/


