Please enter at least 3 characters.

Truku veror nga vendet e nxehta që mund ta freskojë shtëpinë pa shpenzime

Nuk bëhet fjalë për pajisje të shtrenjta, por për një ndryshim shumë të thjeshtë që ndikon menjëherë në ndjesinë e vapës

Kur temperaturat arrijnë kulmin e verës, secili kërkon mënyra për ta freskuar shtëpinë pa rritur shumë shpenzimin e energjisë elektrike.

Ndërsa shumë njerëz mbështeten te kondicioneri dhe ventilatorët, në vendet e Lindjes së Mesme prej kohësh përdoren disa truke të thjeshta që ndihmojnë që ambienti të mbetet më i këndshëm edhe gjatë vapës së madhe.

Njëri prej tyre mund t’ju befasojë: largimi i qilimave nga dhomat gjatë verës.

Pse gjatë verës largohen qilimat?

Në shumë vende të nxehta, sidomos në Lindjen e Mesme, është praktikë e zakonshme që qilimat e trashë të hiqen sapo fillojnë temperaturat e larta.

Arsyeja është e thjeshtë: qilimat e mbajnë nxehtësinë dhe pengojnë që dyshemetë më të freskëta të japin efektin e tyre.

Kur qilimi largohet, pllakat e qeramikës, mermeri ose parketi mbeten drejtpërdrejt të ekspozuara ndaj ajrit dhe e ruajnë më gjatë ndjesinë e freskisë.

Ecja mbi këto sipërfaqe jep ndjesi freskimi, sidomos gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, transmeton Telegrafi.

Një truk i vogël kundër vapës

Edhe pse ky veprim nuk mund ta zëvendësojë kondicionerin, mund të ndihmojë që hapësira të duket më e freskët dhe më pak e rënduar.

Përveç kësaj, ajri qarkullon më lehtë nëpër dhomë, ndërsa dyshemeja ngrohet më ngadalë.

Ekspertët theksojnë se efekti më i mirë arrihet kur ky truk kombinohet me uljen e roletave gjatë ditës, ajrosjen e shtëpisë herët në mëngjes dhe në mbrëmje, si dhe përdorimin e perdeve me ngjyra të çelëta, të cilat reflektojnë dritën e diellit.

Nëse kërkoni një mënyrë të thjeshtë për ta ulur ndjesinë e vapës në banesë ose shtëpi gjatë verës, ndoshta largimi i qilimave është një nga hapat më të lehtë që mund të bëni. /Telegrafi/