Please enter at least 3 characters.

Tronditje në NBA: Kevin Durant mund transferohet te Houston Rockets – kontratë rekord në horizont

Kevin Durant, një nga emrat më të mëdhenj të basketbollit botëror, po transferohet nga Phoenix Suns te Houston Rockets, sipas raportimeve nga gazetari Shams Charania.

Marrëveshja përfshin Jalen Green, Dillon Brooks, zgjedhjen nr. 10 në Draftin 2025 dhe pesë zgjedhje të raundit të dytë, në këmbim të yllit të dyfishtë të Finals MVP.

Durant, i cili do të mbushë 37 vjeç në shtator, ka edhe një sezon të mbetur në kontratën e tij aktuale, gjatë të cilit do të përfitojë 54.7 milionë dollarë për sezonin 2025/26.

Edhe pse në moshë të avancuar për standardet e NBA-së, ai vazhdon të performojë në nivele të larta: në sezonin e kaluar me Phoenix Suns ai regjistroi 26.6 pikë, 6.0 kërcime, 4.2 asistime dhe 1.2 bllokime për ndeshje – statistika shumë pranë mesatares së karrierës së tij.

Nga 6 korriku, kur nis zyrtarisht viti i ri i ligës, Durant bëhet i kualifikuar për një zgjatje dyvjeçare kontrate deri në 122 milionë dollarë, një opsion që Houston mund ta shqyrtojë për ta mbajtur yllin e tyre edhe përtej 2026-ës.

Transferimi i Durant sinjalizon ambiciet e Houston Rockets për të ndërtuar një skuadër konkurruese rreth një lojtari me përvojë dhe karrierë të lavdishme. Ndërkohë, Phoenix Suns marrin elementë të rinj dhe fleksibilitet për të ardhmen. /Telegrafi/