Tragjedi në Pakistan, zjarri në spital ia merr jetën 14 foshnjave të porsalindura
Një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar një tragjedi të rëndë në Pakistan, duke marrë jetën e të paktën 14 foshnjave të porsalindura në një prej spitaleve më të mëdha publike të kryeqytetit Islamabad.
Zjarri shpërtheu të mërkurën në mëngjes, në katin e tretë të repartit për nënat dhe fëmijët në Pakistan Institute of Medical Sciences (PIMS).
Sipas autoriteteve, zjarri nisi rreth orës 06:45 me kohën lokale, pasi kompresori i një pajisjeje të ajrit të kondicionuar dyshohet se shpërtheu brenda dhomës ku qëndronin foshnjat.
Ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe arritën të vinin nën kontroll flakët. Të paktën një foshnjë raportohet se është shpëtuar.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif shprehu ngushëllimet për familjet dhe urdhëroi nisjen e menjëhershme të një hetimi për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë.
“Humbja e fëmijëve në rrethana të tilla është e pariparueshme”, thuhet në një deklaratë të zyrës së tij, transmeton Telegrafi.
Autoritetet kanë bërë të ditur se foshnjat që humbën jetën u dëmtuan rëndë nga zjarri. Për këtë arsye, policia tha se do të nevojiten teste ADN-je për identifikimin e tyre, përpara se trupat t'u dorëzohen familjeve.
Prindërit ndërkohë kanë kërkuar që trupat e fëmijëve t'u dorëzohen sa më shpejt.
Zjarret në ndërtesa të mëdha janë relativisht të shpeshta në Pakistan dhe shpesh lidhen me standarde të dobëta të sigurisë, mangësi në kodet e ndërtimit dhe zbatim të pamjaftueshëm të rregullave.
Hetimi pritet të përcaktojë nëse shpërthimi i kompresorit ishte shkaku i drejtpërdrejtë i zjarrit dhe nëse kishte masa të mjaftueshme sigurie për mbrojtjen e repartit të neonatologjisë. /Telegrafi/


