TIK-u në Kosovë me mbi 2500 kompani e 386% rritje në eksport
Sektori i teknologjisë së informacionit në Kosovë po shënon rritje të shpejtë dhe po konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në “Përballje Podcast”, theksoi se sektori i TIK-ut ka arritur një zhvillim të qëndrueshëm dhe me potencial të lartë për të ardhmen shkruan Telegrafi.
“Na e kemi një sektor shumë të shëndoshë në fushën e teknologjisë, janë mbi dy mijë e pesëqind kompani dhe është sektori me rritje më të madhe në ekonominë e Kosovës,” tha Jagxhiu.
Ai bëri të ditur se në katër vitet e fundit ky sektor ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në eksportin e shërbimeve.
“Në katër vjetët e fundit, sektori i TIK-ut ka shënu rritje prej treqind e tetëdhjetë e gjashtë për qind në eksport të shërbimeve të TIK-ut. Kjo tregon për potencialin e jashtëzakonshëm,” u shpreh ai.
Sipas tij, zhvillimi i këtij sektori lidhet edhe me strukturën demografike të vendit, ku Kosova vazhdon të ketë popullsinë më të re në Evropë.
“Na kemi edhe një rini, domethënë ende jemi popullata më e re në Evropë,” theksoi Jagxhiu.
Ministri nënvizoi se për të shfrytëzuar këtë potencial, është thelbësor bashkëpunimi i institucioneve me sektorin privat dhe atë akademik.
“Na duhet ta shikojmë edhe bashkëpunimin edhe me sektorin privat, edhe me sektorin akademik,” deklaroi ai.
Ai shtoi se ky bashkëpunim do të intensifikohet edhe më tej me krijimin e Ministrisë së re të Digjitalizimit, duke kaluar në një nivel më të avancuar të koordinimit dhe zhvillimit.
“Kjo do të avancohet dhe do të shkojë edhe në një nivel ma të nalt me ministrinë e re që e kemi,” tha Jagxhiu.
Sektori i IT-së tashmë po shihet si një nga fushat me potencialin më të madh për eksport dhe zhvillim ekonomik në Kosovë, ndërsa institucionet synojnë ta mbështesin më tej këtë trend përmes politikave dhe investimeve të reja.
Për më shumë shiko podcastin e plotë/.Telegrafi/.


