Tigani ju është djegur dhe gjithçka është ngjitur? Këto truke e pastrojnë pa fërkim
Metoda të thjeshta me përbërës që i keni në shtëpi, që heqin djegien dhe yndyrën pa gërvishtje
Tigani i djegur dhe ushqimi i ngjitur nuk janë problem vetëm i fillestarëve në kuzhinë. Kjo u ndodh edhe atyre që gatuajnë çdo ditë, sidomos kur nxitohet ose kur fuqia e sobës nënvlerësohet. Lajmi i mirë është se, në shumicën e rasteve, nuk ka nevojë për fërkim agresiv, gërvishtje apo hedhje të tiganit. Ekzistojnë truke të thjeshta, me përbërës që tashmë i keni në shtëpi, të cilat e zgjidhin problemin me minimum përpjekjeje.
Më poshtë janë metoda të provuara që funksionojnë realisht, pa dëmtuar sipërfaqen dhe pa stres.
Rregulli i parë: mos e sulmoni menjëherë tiganin
Gabimi më i shpeshtë është përdorimi i telave metalikë ose sfungjerëve të ashpër që në fillim. Kjo vetëm sa e përkeqëson situatën dhe mund ta dëmtojë përfundimisht sipërfaqen e tiganit. Në vend të kësaj, shfrytëzoni nxehtësinë dhe avullin.
Në tiganin e djegur hidhni ujë aq sa të mbulojë fundin, shtoni një ose dy lugë sodë buke dhe vendoseni në sobë. Kur uji të vlojë, lëreni të ziejë lehtë për 5-10 minuta. Me ngrohjen, shtresa e djegur fillon të shkëputet vetë. Pas kësaj, lëreni tiganin të ftohet pak dhe fshijeni butë me një sfungjer.
Nëse nuk keni sodë buke, i njëjti proces mund të bëhet me pak uthull të bardhë ose lëng limoni. Acidi ndihmon në shpërbërjen e yndyrës dhe mbetjeve të djegura, duke i ngritur ato nga sipërfaqja e tiganit.
Për njollat më të forta
Kur mbetjet nuk largohen lehtë, një kombinim i thjeshtë funksionon shumë mirë: përzieni sodë buke me pak detergjent për enë, derisa të krijohet një pastë e trashë. Vendoseni mbi pjesën e djegur dhe lëreni të veprojë të paktën 30 minuta. Më pas mjafton një fërkim i lehtë rrethor për ta pastruar sipërfaqen, transmeton Telegrafi.
Pastrimi i pjesës së jashtme të tiganit (fundit të djegur)
Për anën e jashtme të tiganit, veproni kështu:
1. Spërkatni sipërfaqen e djegur me kripë.
2. Shtoni pluhur pjekjeje mbi kripë.
3. Hidhni detergjent për enë dhe fërkojeni lehtë që përbërësit të përzihen.
4. Vendosni sipër disa fletë letre kuzhine, njëra mbi tjetrën.
5. Lagni gjithçka bollshëm me uthull të bardhë, derisa letrat të njomen mirë.
Lëreni të qëndrojë 10-20 minuta, pastaj hiqni letrat dhe me to fshijeni sipërfaqen. Në fund, shpëlajeni tiganin dhe lajeni si zakonisht.
Çfarë nuk duhet bërë kurrë me një tigan të djegur
Sado të tundoheni, shmangni sfungjerët metalikë, thikat dhe mjetet e mprehta - sidomos te tigani jo-ngjitës ose qeramikë.
Gjithashtu, mos hidhni ujë të ftohtë në tigan të nxehtë, sepse ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës mund ta deformojë atë.
Një tjetër gabim i shpeshtë është përdorimi i tepruar i kimikateve të forta. Ato mund të lënë erëra dhe mbetje që më pas kalojnë në ushqim. Në shumicën e rasteve, përbërësit natyralë e kryejnë punën po aq mirë, madje edhe më mirë.
Si ta parandaloni djegien e tiganit
Nëse situata të tilla përsëriten shpesh, kjo është shenjë se tiganit i duhet pak më shumë kujdes gjatë gatimit. Temperaturë më e ulët, pak më shumë yndyrë dhe pak durim janë shpesh parandalimi më i mirë.
Tigani i djegur nuk do të thotë fundi i botës dhe as orë të tëra mbi lavaman. Me këto truke, problemi zgjidhet shpejt, qetë dhe pa mundim, ashtu siç duhet. /Telegrafi/


