Please enter at least 3 characters.

Thunder një fitore larg finales së NBA-së, Spurs të revoltuar me gjykimin

Oklahoma City Thunder mposhti San Antonio Spurs me rezultatin 127:114 në ndeshjen e pestë të finales së Konferencës Perëndimore dhe kaloi në epërsi 3:2 në seri, duke iu afruar vetëm një fitore larg finales së madhe të NBA-së.

Lideri i Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, ishte sërish vendimtar me 32 pikë, ndërsa nga stoli shkëlqeu Alex Caruso me 22 pikë. Një paraqitje shumë të mirë pati edhe Jared McCain, i cili startoi për herë të parë në playoff për shkak të mungesave të Jalen Williams dhe Ajay Mitchell, duke e mbyllur ndeshjen me 20 pikë.

Thunder reagoi fuqishëm pas paraqitjes së dobët në ndeshjen e katërt, ku kishte realizuar vetëm 82 pikë. Këtë herë, skuadra vendase dominoi sidomos në çerekun e dytë, ku shënoi plot 40 pikë dhe krijoi një epërsi prej 20 pikësh në periudhën e tretë.

Chet Holmgren kontribuoi me 16 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Isaiah Hartenstein shtoi 12 pikë dhe 15 kërcime.

- YouTubewww.youtube.com

Te Spurs, më efikasi ishte Stephon Castle me 24 pikë, ndërsa Julian Champagnie realizoi 22 pikë. Ylli francez Victor Wembanyama e mbylli takimin me 20 pikë, por pati një mbrëmje të vështirë në gjuajtje, duke realizuar vetëm katër nga 15 tentimet nga loja.

San Antonio pati probleme edhe nga vija e treshit, duke humbur 29 nga 41 tentimet për tri pikë.

Pas ndeshjes, rrjetet sociale u mbushën me reagime për disa vendime të diskutueshme të gjyqtarëve në favor të Thunder, të cilat shkaktuan zemërim te lojtarët dhe tifozët e Spurs, sidomos në fund të çerekut të tretë.

Ndeshja e gjashtë e serisë do të zhvillohet të enjten në San Antonio. Nëse seria shkon në ndeshjen vendimtare, takimi i shtatë do të luhet në Oklahoma City të shtunën. Fituesi i finales së Konferencës Perëndimore do të përballet me New York Knicks në finalet e NBA-së që nisin më 3 qershor. /Telegrafi/