“Terapia fizikale çdo ditë është mashtrim?”, fizioterapisti Blend Bytyqi shpjegon pse trajtimi i shpeshtë nuk e zgjidh gjithmonë problemin
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, fizioterapisti Blend Bytyqi ka folur për një praktikë që, sipas tij, ende vazhdon të jetë e pranishme te pacientët me dhimbje: terapia fizikale çdo ditë, për disa ditë radhazi, pa një qëllim të qartë funksional.
Duke folur për kohëzgjatjen e seancave terapeutike dhe mënyrën se si duhet të trajtohen problemet si dhimbjet jo specifike, hernia diskale, tendinopatitë apo kokëdhimbjet me prejardhje nga qafa, Bytyqi tha se nuk ka një kohë fikse për çdo pacient, pasi gjithçka varet nga problemi dhe vlerësimi klinik.
“Kohë nuk ka, mundet me zgjat më shumë, mundet me zgjat më pak, varet krejt prej problemit”, tha ai.
Bytyqi theksoi se, në Kosovë seancat shpesh janë më të gjata se në vendet e tjera, por problemi kryesor, sipas tij, nuk është vetëm kohëzgjatja, por edhe mënyra se si organizohet terapia.
Ai ishte i drejtpërdrejtë kur foli për terapitë e përditshme fizikale, duke i cilësuar si praktikë të gabuar kur aplikohen pa nevojë reale.
“Gabimet më të mëdha që bëhen është terapia çdo ditë fizikale. Terapia çdo ditë fizikale është mashtrim”, deklaroi Bytyqi.
Sipas tij, dhjetë seanca të përditshme për dy javë nuk janë domosdoshmërisht zgjidhje për problemet e pacientit, nëse ato nuk shoqërohen me një vlerësim të qartë dhe me objektiva funksionale.
“Me dhjetë seanca çdo ditë për dy javë, a e ke ndryshu jetën e pacientit diçka? Jo”, tha ai.
Bytyqi shpjegoi se në disa raste terapia e përditshme mund të krijojë vetëm lehtësim të përkohshëm, pa e adresuar shkakun e problemit.
“Ke bërë një terapi, është mshefë dhimta, është nxehë, është fërku pacienti, kurrfarë diferencimi nuk ki klinik”, u shpreh ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


