Please enter at least 3 characters.

Teknikët e integrimeve evropiane

Obsesionimi i me kriteret e bashkimit evropian për integrim ashtu si janë dhënë në letër është mungesë e guximit për t’u përballuar me realitetin. Si përkthehen kriteret e integrimit evropian në praktikë?

Më kujtohet një takim në Shën Stefan të Malit të Zi verën që shkoi, ku isha thirrur ta mbaja një prezantim në Asamblenë Parlamentare e NATO-s. Në këtë takim kishte parlamentar nga shtete të ndryshme anëtare ose partnere të NATO-s, përfshire këtu edhe parlamentar të Dumes ruse. Ky takim, që kishte diku rreth 100 pjesëmarrës kishte edhe parlamentarë e zyrtarë nga Kosova e Shqipëria. Ajo që karakterizoi këtë takim ishte fakti se parlamentarët rusë morën rolin e denoncimeve për krimet ndaj serbëve në Kosovë duke qenë se ekipi i parlamentarëve serbë u desh të ktheheshin në Beograd për ta votuar qeverinë aktuale të Serbisë.

Diskutimet e të pranishmëve, kurdo që flitej për Kosovën ishin ose neutrale (si ata të Malit të Zi e Maqedonisë) ose përplot me akuza sidomos mbi faktin se politika e Kosovës po vazhdon të mbahet peng nga strukturat e krimit të organizuar (Rusia e Italia). Pjesa tjetër e diskutimeve kishin të bënin kryesisht me çështje të sfidave konkrete të shteteve të Ballkanit dhe diskutuesit rrallë zinin në gojë integrimin evropian. Këto diskutime (sidomos tek parlamentarët e përfaqësuesit e shoqërisë civile të Malit të Zi, Bosnjës e Shqipërisë) fokusoheshin sidomos rreth mbisundimit të ligjit në këto shtete. Vetëm përfaqësuesit e Kosovës fillonin e mbaronin me përsëritjen e pjesëve të kritereve për integrim evropian, sado që përfaqësues të Komisionit evropian kurdo që flisnin për integrimin e rajonin përsërisnin se për Kosovën është tepër herët të flitet për integrim.

Çka po dua të them? Të gjitha vendet e rajonit janë më brenda procesit të integrimeve evropiane sesa Kosova dhe i kanë më imanente të gjitha kriteret për këtë proces. Mirëpo, vetëm kosovarët janë ata që vazhdojnë t’i përsërisnin frazat mbi integrimet evropiane. Zyrtarët kosovar në vazhdimësi e kanë parë integrimin në BE ekskluzivisht si një aspekt teknik dhe e kanë ndarë pothuaj se tërësisht këtë rrugë nga zhvillimet tjera strukturore sidomos zhvillimin institucional dhe administrativ. Nuk ka shtet në rajon që i ka punët më keq në të dy këto aspekte sesa Kosova, por në të gjitha takimet ndërkombëtare ku kam qenë pjesëmarrës me ministra kosovar më së paku ata kanë folur për këto sfida që janë esenciale për integrim.

Duke qenë se në cilindo aspekt punët i kemi si mos më keq, integrimet evropiane thjesht i kemi shndërruar në mentalitet e shpesh edhe në biznes. Biznes edhe të politikës, edhe të shoqërisë civile, edhe të teknikëve të rinj që kanë mbaruar studimet evropiane. Flitet për kriteret që i kemi në letër dhe edhe kur flitet për sfidat me të cilat ndeshemi në praktikë si luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, ekonominë, ndërtimin institucional dhe kapacitetet administrative, këto të gjitha preken vetëm si nocione e jo në substancë. Pra, si të ishin marrë vesh, edhe politikanët, edhe teknicienët e rinj, edhe pjesëtarët e shoqërisë civile, stërfokusohen në aspektet teknike të integrimit evropian vetëm pse thjesht kjo është qasja që nuk prek interesin e askujt.

Në këtë takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka qenë moment i nder kur ish-komandanti italian i forcave të KFOR-it, Fabio Mini, nxori fotografitë e shumicës së liderëve kosovar, të cilët sipas tij s’ishin vecse kriminelë. Të gjithë mezi prisnin prezantimin e ministrit të brendshëm Zenun Pajaziti që do të pasonte së shpejti. Ministri, prej të cilit prisnim të jepte ndonjë lloj përgjigje ndaj asaj që tha Mini, lexoi një prezantim të para-përgatitur që fliste kryesisht për aspektin teknik të integrimeve evropiane. Natyrisht që kishte të befasuar me këtë qasje. Ministri në fund tha, ju ftoj të vini në Kosovë për të parë përparimet, hëngri një drekë dhe iku pa u futur fare në diskutimet e zjarrta që po bëheshin për tre ditë me radhë në këtë takim.

Qasje e ngjashme shihet gjithmonë në Kosovë kur diskutohet për integrimet evropiane. Në një emision në RTK të premten mbrëma ishin të ftuar disa të diplomuar në studimet evropiane, numri i të cilëve në Kosovë po bëhet seriozisht i madh. Më duhet të rrëfehem se këto studime i kam mbaruar edhe vetë. Me një kompetencë të plotë e them që për secilin njeri mesatar kriteret e integrimit evropian në formën si shtrohen në marrëveshjet e stabilizim-asocimit dhe dokumenteve tjerë për një njeri mesatar duhet maksimumi një javë studime për t’i mësuar nëse jo përmendësh pjesët më të rëndësishme, atëherë për ta quajtur veten të përgatitur për të diskutuar mbi to gjithsesi! Do pak kohë dhe bëhesh një njohës i bukur dhe kompetent i integrimeve evropiane, por do punë, guxim e sakrificë ta kuptosh se si përkthehen këto kritere në praktikë.

Do mundohem shkurt t’i interpretoj kriteret kryesore të bashkimit evropian në kuptimin praktik. Një nga sfidat që përmendet shkarazi nga “njohësit” e integrimeve evropiane në këto diskutime është reforma në gjyqësi. Kur flitet për reformën në gjyqësi zakonisht mendohet në nxjerrjen e një liste të ligjeve, ose kapjen e një apo dy peshqve të mëdhenj për korrupsion. Asnjëherë nuk zihet ngoje se kjo në të vërtet kërkon një qasje shumë më fundamentale. Ky aspekt adresohet me reforma edhe në politikë dhe kërkon para së gjithash një qëndrim të shoqërisë ndaj tërë asaj që ndodhi në Kosovë para dhe mbas lufte dhe sidomos kërkon një përballim serioz me agjendën e administratave ndërkombëtare në gjyqësi.

Ta zëmë, nuk ka as që mund të ketë reformim të gjyqësorit pa u përballuar me faktin se mosha mesatare e gjyqtarëve e prokurorëve është mbi 60 vjet dhe se një pjesë e mirë e tyre, në funksione të larta, kanë bishtin e zënë ose për shkak të pjesëmarrjes në përndjekje e gjykime politike ose për shkak të involvimit direkt në korrupsion e krime ekonomike. Ky sektor nuk po reformohet sepse nuk ka një vullnet politik, thonë “njohësit” e integrimeve evropiane. E vërtetë, por është edhe tjetra e anë e kësaj të vërtete.

Nga procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve politika kosovare ka hequr dorë tërësisht dhe kjo bëhet ekskluzivisht nga ndërkombëtarët. Po ndërkombëtarët pastaj e bëjnë këtë proces sipas kërkesave të veta. Për shembull, një nga kriteret e përcaktuara nga ata është që, për të qenë pjesë e sistemit gjyqësor, secili kandidat duhet të ketë 12 vjet punë të pandërprerë si gjykatës ose prokuror. Më dhemb shumë kur e di se një nga prokurorët më të përgatitur nuk do ta kalojë procesin për shkak se ka refuzuar të punojë në kohën e Millosheviqit dhe nuk i bën dot 12 vjet përvojë pune.

Një tjetër sfidë që është identifikuar si term nga “njohësit” e integrimeve evropiane është ekonomia. Kërkesa që të kesh kapacitet për ta përballuar konkurrencën në BE është një nga kushtet e rëndësishme për integrim. Kosova ka varfërinë më të thellë në rajon, ka një kuotë krejtësisht paradoksale të analfabetizmit, ka një proces gërryes të pasurive publike nëpërmjet politikanëve të korruptuar ose të shitur tek kompanitë e huaja. Ka një proces privatizimi të prirë tash dhjet vjet nga një i vetmi njeri (ministri i Ekonomisë dhe Financave) që diti vetëm të djeg ndërmarrjet kosovare dhe ta fusë Kosovën në marrëdhënie haraçi me kompani të huaja.

Kosova nuk e ka idenë si të hedh një hap të vetëm për zhvillim ekonomik. Kosova nuk ka një vlerësim objektiv të aseteve të saja publike. Ekonomia e ndërmarrjeve të vogla e të mesme po ngulfatet, në ndërkohë që kompanitë publike po përgatiten të shiten për një çmim mizerabël sepse janë zhvlerësuar qëllimisht nga korrupsioni dhe kontratat e dëmshme të nënshkruara në emër të tyre nga menaxherë politikë. Pra, Kosova praktikisht nuk ka ekonomi.

Sfida tjetër është ndërtimi i një hapësire të vetme ligjore në tërë territorin e Kosovës. Kurdo që flitet për këtë nga “njohësit” e integrimeve evropiane, ndodhë një kolp dhe iu prehet fjala, si t’i kapte ata ndonjë ngërç diku nga fundi i barkut. Asnjëri nga ta nuk e thotë atë që mendon për veriun sepse e dinë mirë se çkado që thonë lidhet direkt me marrëdhëniet e tyre me ndërkombëtarët. Këtu ata zakonisht ngelin pa fjalë dhe kalojnë nëpër një mërdhezje në fytyrë që tregon qartazi që diçka iu vlon në bark. Po s’e marrin assesi guximin ta thonë atë që mendojnë, asnjëherë!

Sfida tjetër ka të bëjë me nivelin e të ashtuquajturës politikë e lartë, që përgjithësisht nënkupton situatën rreth misionit të BE-së dhe statusit. BE-ja, që nuk ka një konsensus rreth statusit, dmth si e tillë nuk e pranon pavarësinë, ka një mision të sundimit të ligjit brenda. Jo vetëm që BE-ja nuk e ka iden ku po e çon Kosovën duke qenë se nuk po e trajton dot qëndrimin e Serbisë, por shpesh duket se as që ka një qasje të sinqertë ndaj Kosovës dhe kjo po shihet në rezignimin e komponentes së saj për mbisundimin e ligjit për t’u përballuar me rastet e rënda të përfshirjes së politikës në krim, rezignim që po e shkëmben me stabilitetin politik dhe mbajtjen e status quos në praktikë, gjë e cila arrihet vetëm me politikanë të korruptuar e inkriminuar.

Këto janë sfidat e vërteta për integrimin e Kosovës në BE. Kriteret e shkruajtura në letra, në të cilat kanë humbur rrugën teknicientët “njohës” të integrimeve evropiane, janë një mënyrë tjetër e emërimit të këtyre sfidave, një eufemizëm që mbulon mungesën e guximit për tu përballuar në praktikë me këto kritere. Kur flasim për këto sfida, nuk duhet të mendojmë në kritere për integrim evropian, por për ndërtimin e një shteti demokratik, sovran dhe me mbisundim të ligjit e me llogaridhënie.

Ne do të integrohemi me automatizëm në momentin kur do të ndërtojmë institucione që funksionojnë, ekonomi të qëndrueshme, rend dhe ligj, arsim që i përngjan së paku standardeve rajonale. Nëse nuk përballohen në këtë mënyrë me sfidat që e presin Kosovën, “njohësit” e integrimeve evropiane do të humben në teknicialitete dhe do të bëhen të obsesionuar nga leximi i kritereve të BE-së duke u shkëputur kështu tërësisht nga realiteti. Do të ngelin mediokër të përhershëm.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)