Taulant Hodaj nuk kandidon për të parin e FFK-së, thotë se është e pamundur me situatën aktuale
Taulant Hodaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor të paralajmëruar për 5 shkurt.
Sipas tij, mënyra se si po organizohen këto zgjedhje e përjashton garën reale dhe bie ndesh me parimet bazë të demokracisë sportive.
Hodaj bën të ditur se është kontaktuar nga klube dhe media lidhur me një kandidaturë të mundshme për kryetar të FFK-së, por thekson se një garë e tillë mund të ketë kuptim vetëm nëse zhvillohet në kushte të barabarta dhe të ligjshme.
Ai nënvizon se problemi kryesor në futbollin kosovar është qeverisja aktuale dhe se çdo ndryshim i vërtetë duhet të nisë nga maja e federatës.
Në reagimin e tij, Hodaj e cilëson Kuvendin e 5 shkurtit si të jashtëligjshëm, duke iu referuar edhe vlerësimeve të Ministrisë së Sportit.
Sipas tij, kriteret aktuale për kandidim, veçanërisht kërkesa për 15 nënshkrime nga një numër i kufizuar anëtarësh, e bëjnë garën praktikisht të pamundur dhe favorizojnë vetëm një kandidat.
Ai shton se këto kritere janë në kundërshtim jo vetëm me ligjet vendore dhe statutin e FFK-së, por edhe me rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s.
Hodaj thekson se vetë institucionet ndërkombëtare të futbollit kanë vlerësuar se ky model përbën një dispozitë diskriminuese dhe se kërkesa për nënshkrime duhet të jetë shumë më e ulët për të garantuar konkurrencë të ndershme.
Hodaj mohon pretendimet se institucionet e Kosovës po ndërhyjnë në pavarësinë e federatës, duke theksuar se ligjshmëria dhe transparenca nuk përbëjnë ndërhyrje, por standard minimal të qeverisjes sportive./Telegrafi/


