Tahiri: Me Bedri Hamzën kryeministër, pagat do të ishin 50% më të larta
Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se PDK pret rritje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa ka vlerësuar se Bedri Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër dhe për drejtimin e Kosovës.
Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se PDK beson se qytetarët do të reflektojnë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe do t’i japin mbështetje partisë së tij.
“Unë e pres që Partia Demokratike e Kosovës do të rritet. Do të rritet edhe me numrin e votave, njëherit edhe me numrin e deputetëve”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, PDK do të forcojë pozitën e saj në Kuvendin e Kosovës dhe do të ketë rol të rëndësishëm në skenën politike pas zgjedhjeve. Tahiri u shpreh i bindur se Bedri Hamza është alternativa më e mirë për udhëheqjen e vendit, duke thënë se PDK ka vazhduar ta mbështesë kandidaturën e tij që nga zgjedhjet e kaluara.
“Do ta forcojë pozicionin tonë në Kuvendin e Kosovës… do të jetë forcë e rëndësishme politike në kuptim që me e përfaqësu interesin e votuesve dhe interesat e vendit. Ne kemi besu dhe kemi qëndru pas Bedri Hamzës si kandidati i duhur për kryeministër”, deklaroi Tahiri shkruan Telegrafi.
Ai tha se me Hamzën kryeministër, qytetarët do të kishin përfituar më shumë mbështetje ekonomike dhe sociale.
“Po të kishte qenë Bedri Hamza kryeministër i Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2025, secili mësimdhënës, secili mjek, secili fermer, secili polic… pagën do ta kishte parë 50 për qind në rritje”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, PDK ofron një qasje tjetër qeverisëse, të fokusuar në zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe mbështetje për sektorin privat.
“Me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës do të kthehet koha e zhvillimit, mirëqenies dhe përgjegjshmërisë. Jam i bindur që qytetari i Republikës së Kosovës ka me reflektu”, tha Tahiri./Telegrafi/.


