Please enter at least 3 characters.

Surroi: Zgjedhja e Qeverisë dhe Presidentit nuk duhet të përzihet

Publicisti Veton Surroi ka paraqitur një sërë sugjerimesh lidhur me, siç i cilëson ai, paqartësitë që po shoqërojnë procesin e formimit të Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në një reagim publik, Surroi ka theksuar se zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit i kanë dhënë mandat Lëvizjes Vetëvendosje për të tentuar formimin e Qeverisë, në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve.

“Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit i dhanë mandat LVV-së për të provuar formimin e Qeverisë së radhës, në pajtim me Kushtetutën dhe me vullnetin e shprehur të qytetarëve. Në rast se partnerët e zgjedhur për koalicion janë partitë e disa prej komuniteteve joshumicë, do të ishte e pritshme që të ketë dakordim të shpejtë për përbërjen e Qeverisë dhe programin qeverisës”, ka shkruar Surroi.

Ai ka theksuar se deputetët kanë mandat të drejtpërdrejtë kushtetues edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke nënvizuar se ky proces nuk duhet të lidhet me negociatat për formimin e Qeverisë.

“Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit u dhanë njëkohësisht të gjithë deputetëve mandatin dhe përgjegjësinë kushtetuese për pjesëmarrje në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Presidenti nuk është bartës i pushtetit ekzekutiv qeveritar; kompetencat e tij/saj janë të veçanta nga ato të Qeverisë”, ka theksuar ai.

Surroi ka kritikuar edhe kushtëzimet politike nga subjektet opozitare për pjesëmarrje në procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke thënë se ato duhet të lidhen vetëm me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni.

“Disa subjekte politike që kanë qenë në opozitë po vendosin kushte për pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Por këto kushte duhet të lidhen me funksionin kushtetues të Presidentit dhe jo me kompetenca që Kushtetuta ia jep Qeverisë”, ka shkruar Surroi.

Ai ka shtuar se asnjë parti politike nuk ka mandat të vetëm për zgjedhjen e Presidentit, por as nuk duhet të bllokojë funksionimin institucional të vendit.

“Asnjë subjekt politik nuk ka mandat që ta zgjedhë i vetëm Presidentin e Republikës; njëkohësisht, asnjë subjekt politik nuk duhet ta përdorë peshën e vet parlamentare për të pamundësuar funksionimin kushtetues të institucioneve”, ka theksuar ai.

Në fund, Surroi ka propozuar që bashkëpunimi politik për zgjedhjen e Presidentit të fillojë nga përcaktimi i kritereve për figurën që përfaqëson unitetin e popullit, e jo nga ndarja e posteve qeveritare.

“Bashkëpunimi politik për zgjedhjen e Presidentit mund të fillojë jo nga ndarja e pushtetit qeveritar, por nga përcaktimi i kritereve për figurat që mund ta përmbushin rolin kushtetues të unitetit të popullit”, ka shkruar Surroi. /Telegrafi/