Please enter at least 3 characters.

Sorensen në Zagreb: Kroacia mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, ka qëndruar në Zagreb ku ka marrë pjesë në Konferencën e Ambasadorëve të Kroacisë dhe është takuar me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.

Sorensen ka thënë se me Plenkoviq ka shkëmbyer pikëpamje lidhur me zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Është mirë të jesh në Zagreb. Një kënaqësi e vërtetë të flas në Konferencën e Ambasadorëve të Kroacisë dhe të shkëmbej pikëpamje me kryeministrin Andrej Plenkoviq”, ka shkruar Sørensen.

Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Kroacisë ndaj Dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për angazhimin e Zagrebit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mirënjohës për mbështetjen e fortë të Kroacisë për Dialogun dhe përkushtimin e saj për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

Takimi mes Sorensenit dhe Plenkoviqit u zhvillua në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve, e cila u mbajt në Zagreb më 25 dhe 26 gusht.

Sipas Qeverisë së Kroacisë, Plenkoviq dhe Sorensen diskutuan për situatën aktuale dhe përpjekjet e fundit në kuadër të dialogut, të cilin kryeministri kroat e cilësoi si të rëndësishëm për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Plenkoviq tha se Kroacia mbështet dialogun nën ndërmjetësimin e BE-së si rrugën më të mirë drejt normalizimit. /Telegrafi/