Please enter at least 3 characters.

Skuadra nga Liga Premier shihet si favorite për transferimin e Anis Mehmetit

Wolverhampton Wanderers i është bashkuar garës për shërbimet e Anis Mehmetit dhe po konsiderohet si një nga favoritët kryesorë për ta transferuar sulmuesin brenda këtij afati kalimtar.

Sipas raportimeve në mediat angleze, Wolves tashmë ka vendosur kontakte zyrtare me Bristol Cityn, klub me të cilin Mehmeti ka kontratë të vlefshme deri në përfundim të këtij sezoni.

Klubi nga Liga Premier po shtyn fort për të finalizuar marrëveshjen, duke pasur parasysh se për 25-vjeçarin ka interesim edhe nga Ipswich Town, skuadër që garon në Championship.

Mehmeti është ndër lojtarët më të spikatur të këtij sezoni në kategorinë e dytë të futbollit anglez dhe ende nuk ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës me Bristol Cityn, pjesë e të cilit është që nga viti 2023.

Në 28 paraqitje të deritanishme në Championship, sulmuesi ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime.

Futbollisti ende nuk e ka marrë një vendim për të ardhmen e tij dhe mbetet të shihet deri në mbyllje të afatit kalimtar nëse do të qëndrojë te Bristol City apo do të zgjedhë një nga ofertat e klubeve të tjera për të vazhduar karrierën. /Telegrafi/