Situata e zjarreve në Shqipëri, 10 vatra mbeten aktive
Struktura të Mbrojtjes Civile, efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete të ndërhyrjes nga ajri vijojnë përpjekjet në terren për menaxhimin e vatrat e zjarrit të përhapura në disa qarqe të vendit. Sipas bilancit zyrtar të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes mbrëmjen e të premtes, në të gjithë territorin po ndiqen 13 vatra zjarri, prej të cilave 10 mbeten aktive, 2 janë vënë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht.
Pavarësisht relievit të thyer malor dhe kushteve atmosferike sfiduese, autoritetet konfirmojnë se përpjekjet e koordinuara nga toka dhe ajri kanë shmangur rrezikun e drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Lura dhe Bulqiza në fokusin e operacioneve masive
Pika më kritike e angazhimit operacional mbetet Parku Kombëtar i Lurës në qarkun e Dibrës, ku është mobiluar një forcë e konsiderueshme njerëzore dhe logjistike.
Mobilizimi në Lurë- 200 forca të pushtetit vendor, 50 efektivë të FA-së, 15 punonjës të Policisë së Shtetit, 18 vullnetarë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë specialë Air Tractor.
Ndërhyrja e koordinuar ka bërë të mundur bllokimin e depërtimit të flakëve pranë shtëpive.
Bulqizë (Qafë Helmes – Selishtë)- Vatra mbetet aktive, por grupet operacionale kanë arritur të izolojnë disa segmente kyçe.
Operacionet në Tiranë dhe Krujë
Në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, përpjekjet janë përqendruar në mbrojtjen e masiveve pyjore dhe zonave periferike:
Mali i Dajtit- Stafi prej 9 efektivësh të ADZM-së po mbështetet nga ajri me 2 helikopterë të Forcave të Armatasura.
Priskë – Farkë, 30 forca të MZSH-së me 6 mjete zjarrfikëse e kanë sjellë situatën nën kontroll të plotë, duke eliminuar rrezikun për banesat.
Krujë (Abaze & Zidoll)- Ndërhyrja ajrore e helikopterëve të FA-së ka normalizuar gjendjen në Zidoll, ku po punohet për fikjen e zonave të mbetura të zjarrit.
Reshjet e shiut ndihmojnë jugun; fiket vatra në Peqin
Në rajonet jugore dhe juglindore, faktorët atmosferikë po lehtësojnë punën e ekipeve në terren. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e fundit të shiut kanë ndihmuar stabilizimin e menjëhershëm të vatrat aktive, ndërsa vatra e identifikuar në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht. Puna e monitorimit po vijon gjithashtu pa probleme madhore në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.
Përmes një komunikimi zyrtar për mediat, Ministria e Mbrojtjes theksoi përkushtimin e të gjitha agjencive ligjzbatuese në terren:
“Pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme në disa zona, vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile nga toka dhe ajri. Në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara.”
Nga ana e saj, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmoi se përparësia absolute mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve:
“AKMC, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve operacionale, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe kufizimin sa më të shpejtë të vatrave aktive.”/RTSH


