Please enter at least 3 characters.

Shtohen rastet e vjedhjeve dhe lëndimeve trupore në rajonin e Ferizajt gjatë shkurtit 2026

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka publikuar të dhënat statistikore për disa nga veprat penale të evidentuara gjatë muajit shkurt 2026 në rajonin e Ferizaj, duke i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Sipas raportit, gjatë shkurtit të këtij viti nuk është shënuar asnjë rast vrasjeje, krahasuar me një rast sa ishte regjistruar në shkurt 2025, që paraqet rënie prej 100 për qind.

Rastet e lëndimit të rëndë trupor kanë mbetur të njëjta, me nga dy raste në të dyja periudhat krahasuese. Ndërkaq, lëndimet e lehta trupore kanë shënuar rritje të theksuar, nga 13 raste në 23 raste, apo 76.9 për qind më shumë se një vit më parë.

Sa i përket veprave kundër pasurisë, vjedhjet kanë pësuar rënie nga 37 në 32 raste, që përbën ulje prej 13.5 për qind. Në të kundërtën, vjedhjet e rënda janë rritur ndjeshëm, nga 12 në 27 raste, apo 125 për qind më shumë krahasuar me shkurtin e vitit 2025.

Gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë rast grabitjeje, njësoj si në vitin paraprak. Ndërsa posedimi ilegal i armëve ka shënuar rënie nga 10 në 7 raste, apo 30 për qind më pak.

Në fushën e arrestimeve, sipas të dhënave zyrtare, arrestimet mbi bazën e autorizimeve policore janë rritur nga 25 në 47 raste, që përbën rritje prej 88 për qind. Ndërkohë, arrestimet me urdhëresa të gjykatës kanë shënuar rënie të ndjeshme nga 231 në 77 raste, apo 66.7 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, duke theksuar se çdo rast mund të raportohet drejtpërdrejt në stacionet policore, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/364-406.

Autoritetet kanë siguruar se konfidencialiteti i të dhënave të raportuesve do të ruhet plotësisht. /Telegrafi/