Please enter at least 3 characters.

Shëndeti abdominal, diagnostikimi i hershëm dhe kirurgjia moderne – kirurgu Ymer Durmishi në "Shëndeti në rend të parë"

Ymer Durmishi, kirurg abdominal
Foto: Ridvan Slivova

Shëndeti i organeve abdominale, simptomat që nuk duhet të neglizhohen, rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe zhvillimet në kirurgjinë moderne ishin temat kryesore të episodit të 82-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital.

Ymer Durmishi, kirurg abdominal foli për përvojën e tij profesionale mes Zvicrës, Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për sfidat që lidhen me trajtimin e sëmundjeve abdominale.

Në fillim të bisedës, Durmishi u ndal te simptomat që nuk duhet të injorohen, si të vjellat, kthimi i ushqimit, fryrja e barkut, diarreja, dhimbjet e përsëritura dhe gjakderdhja.

Ai shpjegoi se të vjellat dhe diarreja në shumë raste janë mekanizma mbrojtës të organizmit, por nëse përsëriten apo shoqërohen me simptoma të tjera, duhet kërkuar mendim mjekësor.

“E vjella është mekanizëm mbrojtës që diçka nuk është në rregull në trupin tonë”, tha ai, duke shtuar se nëse simptomat përcillen me probleme të tjera, “atëherë do të thotë që ka diçka më serioze për të cilën duhet domosdo një mendim i mjekut”.

Duke folur për dhimbjet e barkut, ai tha se pacientët shpesh pyesin nëse dhimbja vjen nga mëlçia, pankreasi, lukthi, zorrët apo veshka, por sipas tij dallimi nuk është gjithmonë i lehtë as për mjekët.

Për këtë arsye, ai theksoi rëndësinë e anamnezës, pra historisë së detajuar të pacientit.

“Anamneza është gjysma e diagnozës”, tha Dr. Durmishi, duke shpjeguar se edhe me ekzaminime moderne, biseda e mirë me pacientin mbetet vendimtare për orientimin e diagnozës.

Një pjesë e rëndësishme e podcastit iu kushtua gurëve në tëmth, për të cilën tha se nuk dihet saktësisht se çfarë i shkakton, por përmendi ndryshimet në peshë, metabolizmin e mëlçisë, infeksionet e rrugëve biliare dhe aspektin gjenetik si faktorë të mundshëm.

Ai sqaroi se jo çdo gur në tëmth kërkon menjëherë operacion, sidomos nëse nuk shkakton dhimbje dhe është zbuluar rastësisht.

Megjithatë, sipas tij, pacientët me diabet duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, pasi mund ta perceptojnë vonë problemin.

“Një gur në tëmth që nuk paraqet problem, nuk është arsye për kirurgji”, tha ai, duke shtuar se rreziku rritet kur guri lëviz drejt rrugëve biliare dhe mund të shkaktojë komplikime serioze.

Duke folur për pankreasin, Durmishi e cilësoi pankreatitin si një nga gjendjet më të frikshme në kirurgjinë abdominale.

Ai tha se kur inflamacioni i pankreasit përkeqësohet, trajtimi bëhet shumë më i vështirë dhe mund të kërkojë ndërhyrje të shumta kirurgjikale.

“Është ndër patologjitë më të frikshme”, tha ai për pankreasin, duke shpjeguar se në raste të rënda pacientët mund të kalojnë muaj në trajtim intensiv.

Në podcast u diskutua edhe për fryrjen e barkut dhe shenjat që mund të tregojnë për probleme më serioze.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:


- YouTubewww.youtube.com