SHBA thotë se vendimi i Kanadasë për të lejuar importimin e automjeteve elektrike kineze është 'problematik'
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, tha se vendimi i qeverisë kanadeze për të lejuar deri në 49,000 automjete elektrike kineze me një tarifë të ulët tarifore është "problematik" dhe se Kanadaja mund të pendohet për vendimin.
"Mendoj se është problematike për Kanadanë", ka thënë Greer për CNBC të premten.
"Ka një arsye pse nuk shesim shumë makina kineze në Shtetet e Bashkuara. Është sepse kemi tarifa për të mbrojtur punëtorët amerikanë të automobilave dhe amerikanët nga ato automjete".
Greer theksoi se Kanadaja po kërkonte lehtësim të tarifave bujqësore si pjesë e marrëveshjes për automjetet elektrike.
"Mendoj se në planin afatgjatë, atyre nuk do t'u pëlqejë që kanë bërë atë marrëveshje".
Greer ka bërë të ditur se rregullat e miratuara në janar 2025 për automjetet që janë të lidhura me internetin dhe sistemet e navigimit janë një pengesë e rëndësishme për automjetet kineze në tregun e SHBA-së.
Kujtojmë se udhëheqësi kinez, Xi Jinping dhe kryeministri kanadez, Mark Carney njoftuan një marrëveshje për ulje tarifash pas takimit të tyre në Pekin, duke shënuar një “riformatim” të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kina pritet të ulë tarifat për vajin e kanolës kanadeze nga 85 në 15 për qind, ndërsa Kanadaja do të tarifojë automjetet elektrike kineze me 6.1 për qind.
Marrëveshja vjen pas viteve të tensioneve dhe tarifave reciproke dhe mund të hapë rrugën për investime të reja kineze në Kanada. /Telegrafi/


