Please enter at least 3 characters.

Sergio Ramos humbet durimin dhe përplaset keq me disa tifozë jashtë hotelit

Legjenda e Real Madridit, Sergio Ramos, është filmuar gjatë një përplasje të ashpër me disa tifozë jashtë hotelit në Meksikë. 

Ramos është njëri ndër mbrojtësit më të mirë në histori të lojës dhe 39-vjeçari tani po luan në elitën e futbollit meksikan tek Monterrey.

Ish-reprezentuesi spanjoll iu bashkua këtij ekipi në muajin shkurt, pasi u largua nga Sevilla për herë të dytë në verë.

Në nivel individual, ai e ka nisur mirë aventurën në Meksikë, teksa numëron katër gola në të gjitha garat deri më tani.

Ai shënoi edhe në ndeshjen e fundit të ekipit të tij ndaj Tigres, duke qenë i saktë nga pika e penalltisë.

Sidoqoftë, Tigres ia doli të fitojë me rezultat 2-1 duke fituar në një ndër ndeshjet më të zjarrta në Meksikë.

Ky rezultat do të thotë që Monterrey tani mban pozitën e nëntë në tabelën e klasifikimit dhe janë 11 pikë larg liderit Toluca pas 15 ndeshjeve.

Ata numërojnë tashmë gjashtë fitore, katër barazime dhe kanë pesë disfata.

Sipas një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale, aty shihet Ramos në një bashkëbisedim me tone të larta me disa tifozë të Monterrey.

Këta tifozë besohet se i kërkuan llogari Ramosit për formën e klubit së fundmi, veçanërisht ndaj një rivali të përbetuar.

Ramos shihet duke iu drejtuar me disa gjeste tifozëve, duke përfshirë një duartrokitje dhe duke ngritur duart në ajër./Telegrafi/