Sekuestrohen bizhuteri floriri dhe ora dore në vlerë rreth 50 mijë euro, arrestohet i dyshuari në pikën kufitare në Morinë
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka sekuestruar bizhuteri floriri dhe ora dore në vlerë rreth 50 mijë euro, ndërkaq lidhur me këtë është arrestuar 33-vjeçari Q.S.
Në njoftimin për media thuhet se Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip "Audi”, me drejtues shtetasin Q. S..
“Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën bizhuteri floriri dhe ora dore, të cilat ai nuk i kishte deklaruar sipas ligjit. Bizhuteritë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin Q. S., 33 vjeç, banues në Gjermani, për veprat penale "Kontrabanda më mallra të tjera" dhe “Mosdeklarimi në kufi, i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/


