Së paku 10 ditë për rezultatin për Tiranën
Grupi i juristëve në Partinë Socialiste i thanë AS-së se fillimisht do të ankimojnë pranë KQZ-së vendimin për Tiranën, institucion që prej datës së dorëzimit të aktit ka pesë ditë kohë për ta shqyrtuar dhe për të dhënë vendimin që me të gjitha gjasat do të lërë në fuqi atë që miratoi dy ditë më parë, ku Lulzim Basha rezultoi në avantazh me 81 vota kundrejt rivalit Edi Rama. Ky do të jetë vendimi që PS-ja do të ankimojë më pas në kolegj, institucion që gjithashtu duhet të japë vendimin brenda 5 ditësh nga momenti i dorëzimit të ankimimit.
Duke marrë në konsideratë këto afate ligjore, minimalisht duhen dhjetë ditë për të pasur një vendim final për Tiranën pa marrë në këtë përllogaritje ditët që PS-ja do të konsumojë për të hartuar ankimimet për të dy institucionet përkatëse, fillimisht në KQZ dhe më pas në Kolegj Zgjedhor. /Telegrafi/


