Please enter at least 3 characters.

Sauna dhe xhakuzi 39 gradë: Plani i Belgjikës për tu përgatitur për nxehtësinë para debutimit ndaj Egjiptit

Kombëtarja e Belgjikës po merr masa të veçanta për t’u përshtatur me temperaturat e larta që e presin në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 kundër Egjiptit, e cila do të zhvillohet më 15 qershor në Seattle.

“Djajtë e Kuq”, të drejtuar nga Rudi Garcia, po stërviten aktualisht në Uashington dhe janë përballur me një ndryshim të madh të kushteve atmosferike. Kur mbërritën në Shtetet e Bashkuara, ata gjetën temperatura rreth 14 gradë Celsius dhe mot me shi, por për ndeshjen ndaj Egjiptit parashikohen temperatura nga 28 deri në 33 gradë.

Për të përballuar sa më mirë kushtet e nxehta, stafi teknik belg ka hartuar një plan të posaçëm aklimatizimi. Pas çdo seance stërvitore, lojtarët kalojnë kohë në sauna, me kohëzgjatjen që rritet gradualisht nga 15 deri në 30 minuta.


Përveç kësaj, skuadra ka në dispozicion edhe një xhakuzi të vendosur në temperaturë 39 gradë Celsius, ku futbollistët duhet të qëndrojnë të zhytur deri në qafë për të paktën 30 minuta.

Temperaturat e larta kanë qenë një nga temat kryesore në kampin belg gjatë ditëve të fundit. Mbrojtësi Joaquin Seys pranoi se do t’i duhet të përdorë shumë krem kundër diellit, ndërsa mesfushori Axel Witsel theksoi se jo të gjithë lojtarët janë mësuar me kushte të tilla.


“Nxehtësia padyshim që ka ndikim. Disa lojtarë nuk janë mësuar me këto temperatura, por po bëjmë gjithçka për t’u përshtatur. Lojtarët po bëjnë dush me ujë të nxehtë dhe po përdorin saunat”, tha Witsel.

Belgjika dhe Egjipti konsiderohen favoritët kryesorë për të avancuar nga Grupi G, ku bëjnë pjesë edhe Irani dhe Zelanda e Re. Para debutimit, trajneri Rudi Garcia ka ende disa dilema për formacionin startues, veçanërisht në repartin ofensiv dhe në mbrojtje.


Sfida ndaj Egjiptit pritet të jetë vendimtare në garën për kreun e grupit, ndërsa belgët shpresojnë që përgatitjet e veçanta fizike t’i ndihmojnë të përballojnë sa më mirë kushtet e vështira atmosferike. /Telegrafi/