Please enter at least 3 characters.

Sarina Wiegman kryeson listën për çmimin "Trajnerja e Vitit" në futbollin e femrave

Janë zbuluar emrat e trajnereve të nominuar për çmimin "Trajnerja e Vitit e Ekipit të Femrave", i cili do të dorëzohet në ceremoninë e Topit të Artë 2025 në shtator, në Thetre du Chatelet në Paris.

Sarina Wiegman konsiderohet favoritja kryesore për ta fituar çmimin, pasi udhëhoqi Anglinë drejt triumfit në Euro 2025.

“Luaneshat” treguan karakter të jashtëzakonshëm, duke u rikthyer nga pragu i eliminimit dy herë për të arritur në finalen e pestë radhazi dhe më pas mposhtën kampionet e botës Spanjën pas goditjeve të penalltive.

Trajnerja e Arsenalit, Renee Slegers, është gjithashtu e nominuar, pasi çoi skuadrën londineze drejt një fitoreje të pabesueshme në Ligën e Kampionëve, vetëm shtatë muaj pasi mori drejtimin si e përkohshme. Arsenali theu parashikimet duke e mposhtur Barcelonën në finale, dhe mbetet i vetmi ekip anglez që ka fituar këtë trofe.

Sonia Bompastor ka siguruar gjithashtu një vend në listën e ngushtë falë sezonit të jashtëzakonshëm me Chelsean, duke fituar tripletën vendase: Women’s Super League (WSL), FA Cup dhe Kupën e Ligës.

Arthur Elias është përfaqësuesi i vetëm mashkull në listën e trajnerëve të futbollit të femrave. Ai udhëhoqi Brazilin drejt fitimit të Kupës së Amerikës për herë të nëntë – një tjetër trofe kontinental që e konfirmon dominimin e tyre në këtë garë që nga viti 1991.

Lista e nominuarve plotësohet nga Justine Madugu, e cila udhëhoqi Nigerinë drejt titullit të 10-të të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Suksesi i fundit e forcon më tej statusin e Nigerisë si superfuqi në futbollin afrikan të femrave. /Telegrafi/