Sa do të fitojë Berat Gjimshiti në Arabinë Saudite në ditë, javë, muaj dhe vit
Berat Gjimshiti ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij dhe ka nisur një aventurë të re në Arabinë Saudite, duke u transferuar te Al Diriyah.
Por, përtej kalimit të tij në futbollin saudit, ajo që ka tërhequr vëmendjen janë shifrat e kontratës që kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë pritet të përfitojë në klubin e ri.
Sipas raportimeve, Gjimshiti do të paguhet rreth 4 milionë euro në vit, ndërsa kontrata e tij me Al Diriyah raportohet se është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028, shkruan Indeksonline.
Nëse kjo shifër përfaqëson pagën bazë vjetore të mbrojtësit shqiptar, atëherë të ardhurat e tij ndahen përafërsisht në:
4 milionë euro në vit
333 mijë euro në muaj
76.9 mijë euro në javë
10.9 mijë euro në ditë
456 euro në orë
7.6 euro në minutë
Pra, Gjimshiti do të arkëtonte afro 77 mijë euro çdo javë, vetëm nga paga e tij, nëse shifrat e raportuara konfirmohen.
Transferimi në Arabinë Saudite i jep fund një periudhe të gjatë të Gjimshitit te Atalanta, klub me të cilin mbrojtësi shqiptar ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij dhe u shndërrua në një prej liderëve të skuadrës.
Për kartonin e tij, Al Diriyah raportohet se ka paguar rreth 3 milionë euro, duke e bërë Gjimshitin një tjetër emër të njohur që i është bashkuar projektit të futbollit saudit.
Nëse kontrata deri në qershor të vitit 2028 përmban pagën e raportuar prej 4 milionë eurosh në sezon, Gjimshiti do të përfitojë rreth 8 milionë euro vetëm nga paga gjatë dy viteve të ardhshme, pa përfshirë bonuset, shpërblimet apo përfitimet e tjera që mund të parashikohen në kontratë./Telegrafi/


