Russell Brand befason me deklaratën: Kam fjetur dhe kryer marrëdhënie me një 16-vjeçare kur isha 30 vjeç, është shfrytëzim
Russell Brand, gjatë një paraqitjeje të fundit në emisionin “The Megyn Kelly Show”, ka pranuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë 16-vjeçare, në një kohë kur ai ishte 30 vjeç. Ai theksoi se në Mbretërinë e Bashkuar mosha e pëlqimit për marrëdhënie seksuale është 16 vjeç, por megjithatë e vlerësoi këtë raport me një person kaq shumë më të ri si “shfrytëzim”.
“Faleminderit, Megyn Kelly, që më dhe mundësinë të reflektoj për këtë, sidomos duke pasur parasysh zemërimin tënd, i cili është plotësisht legjitim dhe i kuptueshëm”, tha Brand. “Fakti është se në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, prej nga vij unë, mosha e pëlqimit është 16. Kam fjetur me një 16-vjeçare kur isha 30, por atëherë isha një njeri krejt tjetër. Isha një 30-vjeçar shumë i papjekur”.
Ai vazhdoi duke thënë se marrëdhëniet seksuale me pëlqim, kur ekziston një pabarazi e theksuar pushteti, mund të përbëjnë shfrytëzim. Sipas tij, kjo pabarazi shfaqet sidomos kur një person është i famshëm dhe ka ndikim. “Një marrëdhënie seksuale me pëlqim me njerëz të ndryshëm, kur ka një pabarazi të madhe pushteti – dhe ajo ekziston kur je një burrë i famshëm me aftësinë për të tërhequr gra siç kisha unë atëherë - mendoj se përfshin shfrytëzim. Mendoj se është shfrytëzim”, u shpreh ai.
Brand pranoi gjithashtu se sjellja e tij seksuale në të kaluarën ka qenë e përqendruar te vetja dhe se nuk ka menduar mjaftueshëm për ndikimin që mund të ketë pasur tek të tjerët. “E pranoj që sjellja ime seksuale në të kaluarën ishte egoiste dhe se nuk kam menduar sa duhet - në fakt pothuajse fare - se si ajo ka ndikuar tek të tjerët”, tha ai.
Ndërkohë, Russell Brand përballet edhe me akuza të rënda. Në prill të vitit të kaluar, ai u akuzua për përdhunim, sulm të pahijshëm dhe sulm seksual ndaj katër grave të ndryshme, për incidente që pretendohet se kanë ndodhur mes viteve 1999 dhe 2005. Në dhjetor të po atij viti, ndaj tij u ngritën akuza për përdhunim dhe sulm seksual edhe në lidhje me dy gra të tjera, për ngjarje që pretendohet se kanë ndodhur në vitin 2009. Brand është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Procesi gjyqësor ndaj tij pritej të niste më 16 qershor në gjykatën Southwark Crown Court në Londër, por muajin e kaluar u shty dhe tani është caktuar të nisë më 12 tetor. /Telegrafi/


