Rritje tarifash për shërbimet e ujësjellësit, KRU Gjakova publikon vendimin zyrtar
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar për ndryshime në tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura, të cilat do të aplikohen në bazë të vendimit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU).
Sipas njoftimit, ndryshimet janë bërë në përputhje me Ligjin Nr. 05/L–042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, me qëllim që tarifat të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të sigurojnë qëndrueshmëri financiare për ofruesit e shërbimeve.
Për kategorinë e konsumatorëve shtëpiakë, tarifa volumetrike për shërbimet e ujësjellësit është rritur nga 0.39 në 0.52 cent për metër kub, ndërsa tarifa për shërbimet e ujërave të ndotura ka kaluar nga 0.15 në 0.18 cent.
Ndryshime janë bërë edhe për kategorinë e konsumatorëve jo shtëpiakë, përfshirë ata komercialë dhe institucionalë. Tarifa volumetrike për shërbimet e ujësjellësit është rritur nga 0.55 në 0.67 cent, ndërsa ajo për ujërat e ndotura nga 0.32 në 0.40 cent.
Nga KRU Gjakova bëhet e ditur se tarifa fikse mujore do të përcaktohet në bazë të diametrit të kyçjes në rrjetin shpërndarës. Për më shumë detaje lidhur me këto ndryshime, konsumatorët janë udhëzuar t’i referohen vendimit për miratimin e urdhëresës së tarifave të publikuar nga ARRU. /Telegrafi/


