Please enter at least 3 characters.

​Rreth 100 aksidente në vit, kujdes me traktorë e kombajna në rrugë

Korriku është një muaj në të cilin qarkullimet në trafik, që lidhen me bujqësinë ngjallen, në radhë të parë për shkak të korrjes së grurit, por jo vetëm.

Duke qenë kështu, makineritë agrare janë më të shpeshta nëpër ara, por edhe nëpër rrugë në të cilat lëvizin edhe automjete tjera.

Meqenëse ecin më ngadalë, pajisjet lëvizëse me të cilat punojnë fermerët, “zvarritin” dhe “pengojnë” deri në një masë, qarkullimin normal nëpër rrugë.

Në jo pak raste, rrezikohen edhe ata që janë në trafik.

Që kjo të mos ndodh, policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar në rrugët ku qarkullojnë makineritë bujqësore dhe mjetet e tjera të punës, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Në një njoftim të bërë publik të mërkurën, forcat e rendit bënë me dije se çdo vit në vend ndodhin mbi 100 aksidente trafiku ku përfshihen makineri bujqësore dhe mjete të tjera të rënda të punës.

Për këtë arsye, policia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të ulin shpejtësinë pranë mjeteve bujqësore dhe të kenë kujdes të veçantë, sidomos në zonat rurale.

Po ashtu, edhe drejtuesve të makinerive bujqësore u është thënë se nuk duhet të ngasin mjetet e tyre nën ndikimin e alkoolit, të ngasin ato kur janë të lodhur apo të përdorin telefonin gjatë vozitjes. Bujqve u është rekomanduar që, kur është e mundur, të shoqërohen nga një mjet përcjellës, të shmangin qarkullimin në trafik të dendur dhe gjatë temperaturave të larta, si dhe të përdorin pajisje reflektuese.

Ndërkaq, si masa të domosdoshme sigurie, policia ka kërkon respektimin e rregullave të trafikut rrugor, përdorimin e trekëndëshit të sigurisë dhe materialeve reflektuese, mirëmbajtjen e tyre dhe sigurimin që mjetet të jenë të dukshme për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Në fund të njoftimit të forcave të rendit thuhet se kujdesi dhe respektimi i rregullave të komunikacionit kontribuojnë drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e sigurisë në rrugë